Aktualitet

U qëllua me armë zjarri nga bashkëjetuesi, ndërron jetë në spital Anila Prendushi!

Ngjarja e rëndë në Shkodër, ndërroi jetë në spital Anila Prendushi, 6 ditë pasi u qëllua me plumb në kokë nga bashkëjetuesi, i cili i dha fund jetës duke u vetëvrarë.  Prendushi, nënë e tre fëmijëve nga martesa e parë, u vra nga partneri Kolë Manaj në makinë, te vendi i njohur si Fusha e Druve në qytetin verior. Në njoftimin zyrtar të 18 shkurtit, policia informonte:

Rreth orës 11:15, në lagjen “Mark Lula”, janë gjetur në një automjet, shtetasi Kole Manaj, 34 vjeç dhe shtetasja Anila Prendushi me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.  Shtetasi Kole Manaj ka humbur jetën, ndërsa shtetasja Anila Prendushi  është dërguar në spital, në gjendje shumë të rëndë.  Nga veprimet e para rezulton se automjeti nuk ka dëmtime të jashtme të shkaktuara nga armë zjarri. Në brendësi të automjetit është gjetur një armë zjarri pistoletë.

Për Policinë e Shkodrës, ky ishte një krim pasioni me motiv xhelozinë. Pati raportime se 44 vjeçarja kishte tentuar t’i jepte fund bashkëjetesës, ç’ka mund të ketë revoltuar Manajn. Në rrjetet sociale, 34-vjeçari postonte foto me Prendushin, shoqëruar me dedikim dashurie.

Nëse e do fort mos hiq dorë dhe mos u lësho për asnjë lloj arsye në botë!

Anila Prendushi, punonjëse sociale në një OJF i kishte dhënë fund martesës disa vite më parë. Ajo ka tre fëmijë nga martesa e parë, njëri prej tyre jetonte me të ndërsa dy të tjerët me ish-bashkëshortin. Prej 4 vitesh, viktima e sotme bashkëjetonte me Manajn.