Aktualitet Politikë

U zgjodh Avokat i Popullit, Endri Shabani: Votëbesim surprizues!

Endri Shabani, i zgjedhur mbrëmë Avokat i Popullit, reagoi përmes një deklarate në rrjetet sociale, duke e cilësuar procesin e votimit në Kuvend si “të rëndësishëm, prekës dhe surprizues”. Shabani u shpreh se dinamika e votimit ishte e papritur, sidomos për shkak të qëndrimeve kontradiktore të dy kampeve politike.

Ai theksoi se deputetët e opozitës fillimisht e mbështetën me firma, duke i hapur rrugë kandidimit, por më pas “braktisën kandidaturën”, gjë që e la të befasuar. Ndërkohë, sipas tij, maxhoranca nuk i dha asnjë firmë gjatë fazës së propozimeve, por në votimin final e mbështeti e gjitha, duke votuar pro me votë të fshehtë.

E gjithë kjo dinamikë ishte diçka që s’do ta besoja dot po të ma tregonin më parë, shkruan Shabani, duke falënderuar 35 deputetët e opozitës që nënshkruan kandidaturën e tij dhe deputetët e maxhorancës që votuan pro në sallë.

Shabani vlerësoi votën e maxhorancës si “akt pjekurie politike” për zgjidhjen e ngërçit të institucionit dhe përparimin e procesit të negociatave me Bashkimin Europian. Ai premtoi se do të kryejë detyrën me profesionalizëm dhe do të përpiqet të fitojë respektin e të gjithëve, pavarësisht debatit politik të së kaluarës.