Bota

Uashingtoni iu bën thirrje qytetarëve amerikanë të largohen nga Lindja e Mesme!

Departamenti i Shtetit në Uashington iu bëri thirrje qytetarëve amerikanë në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme që të largohen nga rajoni me mjete komerciale, për shkak të “rreziqeve serioze të sigurisë”.

Këshilla vlen për shtetasit amerikanë në Bahrejn, Egjipt, Iran, Irak, Izrael, Bregun Perëndimor, Gazë, Jordani, Kuvajt, Liban, Oman, Katar, Arabinë Saudite, Siri, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemen.

Më herët, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se “goditjet më të forta” ndaj Iranit “ende nuk kanë ndodhur”, por shtoi se nuk do të “zbulojë detajet e përpjekjeve taktike”.

Deklarata erdhi pasi presidenti Donald Trump, tha se mori vendimin për të nisur luftë kundër Iranit, sepse ishte “mundësia e fundit dhe më e mirë” për të ndalur regjimin iranian.

Ambasada amerikane në Kuvajt është mbyllur “deri në njoftimin e radhës”. Në deklaratën e shpërndarë në X thuhet se vendimi erdhi për shkak të “tensioneve të vazhdueshme rajonale”.

Kemi anuluar të gjitha takimet konsullore, të rregullta dhe emergjente.

Mbyllja e ambasadës në Kuvajt vjen pasi selia diplomatike e Uashingtonit në Riad, u sulmua nga dy dronë gjatë natës.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit konfirmuan se kanë nisur sulme në kryeqytetin iranian, Teheran, si dhe në kryeqytetin libanez, Bejrut.

Ushtria po kryen sulme të njëkohshme kundër objektivave ushtarake në Teheran dhe Bejrut.

Goditjet vijnë rreth një orë pasi ushtria izraelite lëshoi një “paralajmërim urgjent” për njerëzit në periferitë jugore të Bejrutit e në dhjetëra fshatra, duke iu bërë thirrje të evakuohen.

Ushtria tha se ka në shënjestër qendrat e komandës dhe objektet e magazinimit që i përkasin Hezbollahut, grup militant i lidhur me Iranin. Po ashtu, “sulmoi dhe çmontoi” selinë e radios dhe televizionit shtetëror në Teheran, që e cilësoi “qendër të komunikimit të regjimit terrorist”.

Gjatë viteve, Autoriteti Iranian i Transmetimeve bëri thirrje për shkatërrimin e shtetit të Izraelit dhe për përdorimin e armëve bërthamore. Qendra u përdor nga forcat e regjimit iranian edhe për të çuar përpara aktivitetet ushtarake, nën maskën e aktivitetit civil, theksoi ushtria izraelite.