Dita e katërt e konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit. Një breshëri raketash ka goditur Emiratet e Bashkuara Arabe.
Së shpejti do ta zbuloni se cila do të jetë hakmarrja, tha presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, referuar sulmit ndaj ambasadës amerikane në Riad.
Trump deklaroi se nuk është i shqetësuar për sulme të mundshme ndaj bazave ose tokës amerikane në kontekstin e konfliktit me Iranin.
Jo, është pjesë e luftës. Ju pëlqen apo jo, kështu është, iu përgjigj Trump një pyetjeje nga NewsNation. Shumë shpejt do të bëhet e qartë se kush e kontrollon Iranin. Do ta mësoni shumë shpejt.
Reagoi edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu:
Regjimi iranian është fanatik dhe i pareformueshëm. Qëllimi i tij është të shkatërrojnë Amerikën.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi “goditje më të rënda” ndaj Iranit, duke theksuar se nuk do të bëjë publike “detajet e veprimeve taktike”. Në kundërpërgjigje, Republika Islamike vazhdon sulmet ndaj objektivave amerikane në rajon. Së fundmi, ambasada e Uashingtonit në Riad u godit nga dy dronë, duke pësuar dëme të kufizuara materiale.
Sulmet e përbashkëta të Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit nisën më 28 shkurt, me synimin për të frenuar programin bërthamor iranian.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan anulimin e të gjitha shërbimeve konsullore në Arabinë Saudite pasi Ambasada Amerikane në Riad u godit nga dronë vetëvrasës të nisur nga Teherani. Të gjitha takimet, si të rregullta ashtu edhe të jashtëzakonshme, janë anuluar për gjithë ditën e sotme.
Në një deklaratë të publikuar në platformën e mediave sociale X, misioni amerikan në Arabinë Saudite specifikoi gjithashtu se është lëshuar një urdhër “strehimi në vend” në misione të ndryshme, duke përfshirë Xhedahun, Riadin dhe Dhahranin.
Ju lutemi, shmangni ambasadën deri në njoftim të mëtejshëm për shkak të një sulmi ndaj objektit, thuhet në deklaratë.