Tech Top Tech - News

Uber vjen me robotaxi premium! Pa shofer dhe plot risi të tjera, të cilat na i prezanton Mateo Kadriu!

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Askush nuk i beson Uber-it 100%. Jo shoferit, Uber-it vetë. Gjithmonë ke atë ndjesinë: “Po sikur të humbasë rrugën? Po sikur të ndalet kot? Po sikur shoferi të jetë… shumë kreativ?”

Tani nuk ka shofer fare. Zero. As njeri që ankohet për trafik, as që flet në telefon, as që pyet “ku po shkojmë?”. Vetëm makina. Dhe ti. Dhe heshtja. Bukur, apo jo? Pak frikë, pak magji.

Mirë se vini te robotaxi i ri i Uber-it.

Në CES 2026, Uber, Lucid dhe Nuro dolën dhe thanë: “Hajde të bëjmë diçka të madhe”. Dhe e bënë. Një makinë që ecën vetë, mendon vetë dhe – teorikisht – nuk të gjykon për këngën që dëgjon.

Baza është Lucid Gravity, një SUV aq i madh sa mund të futësh gjithë shtëpinë brenda. Sipër ka kamera, radarë, lidar… më shumë sy se një lagje shqiptare. Dhe brenda? Ekrane që të tregojnë ku je, ku po shkon, sa minuta kanë mbetur.

Nëse makina gabon, nuk mund t’i thuash dot “o shoku”. Mund t’i thuash vetëm “pull over”, si në filmat amerikanë. Uber po e shet këtë si robotaxi premium. Hapësirë, qetësi, teknologji. Një eksperiencë ku shoferi nuk të pyet pse po vonohesh, sepse… nuk ekziston.

Sigurisht, Lucid ka pasur drama me software-in. Dhe kjo na bën të pyesim: a do ngecë makina, apo do ngecim ne nga emocionet?

Por një gjë është e sigurt: e ardhmja po vjen. Pa shofer. Pa muhabet. Pa “kam gabuar rrugën”.

Dhe tani pyetja klasike:

“Po bakshishin kujt ia lë?”