Ukraina akuzon Rusinë se efektivisht ka përjashtuar portin ukrainas Pivdeni nga marrëveshja tregtare që synon lehtësimin e eksporteve të sigurta të grurit në rajonin e Detit të Zi. Por Rusia tha se nuk ishte në gjendje të transportonte amoniak përmes tubacionit në Pivdeni, siç u arrit në marrëveshje.
Kjo marrëveshje, e cila ka të bëjë me eksportin e drithërave dhe plehrave gjatë luftës është ndërmjetësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Turqia në korrik të vitit të kaluar, duke u zgjatur me dy muaj të tjerë. Në të përfshihen portet ukrainase Odesa, Çornomorsk dhe Pivdeni.
Të hënën, Kombet e Bashkuara shprehën shqetësimet e tyre në lidhje me mungesën e anijeve që në portin Pivdeni që nga 2 maji. Një zëvendësminstër ukrainas, Yuriy Vaskov, akuzoi Rusinë për një “shkelje të rëndë” të marrëveshjes duke vënë në dukje se inspektorët rusë kishin refuzuar të inspektonin anijet e destinuara për në Pivdeni që nga 29 prilli.
Marrëveshja ka mundësuar një ekip të përbashkët të Rusisë, Ukrainës, Turqisë e OKB-së të inspektorëve përgjegjës për inspektimet e anijeve. Vaskov tha se Moska ka gjetur një mënyrë për të reduktuar eksportet e grurit ukrainas duke përjashtuar nga nisma portin e Pivdeni, vendimtar për trajtimin e anijeve të tonazhit të madh.
Pivdeni është porti më i madh i përfshirë në marrëveshje. Të dhënat e Ministrisë së Restaurimit tregojnë se në këtë port ruhen rreth 1.5 milion ton artikuj ushqimorë për eksport për të ardhmen. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, dënoi veprimet e Rusisë duke i përshkruar si një shkelje të qartë të angazhimeve të tyre sipas marrëveshjes së grurit. Ai i bëri thirrje Moskës që të ndalojë mbajtjen peng të furnizimeve globale ushqimore.
Marrëveshja e Detit të Zi për drithërat u arrit për të ndihmuar në trajtimin e krizës globale ushqimore të përkeqësuar nga pushtimi i Ukrainës nga Moska në shkurt të vitit 2022. Marrëveshja lejon edhe eksportin e amoniakut rus, të cilin Rusia e transporton në Pivdeni nëpërmjet tubacionit për eksport.
Rusia ka kërcënuar se nuk do të rinovonte marrëveshjen e Detit të Zi nëse nuk plotësohej një listë e kërkesave në lidhje me eksportet e saj të ushqimit dhe plehrave. Rihapja e tubacionit të amoniakut është një nga kërkesat që Kombet e Bashkuara janë përpjekur të ndërmjetësojnë.