Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje që Amerikës i jep akses në mineralet e rralla me vlerë të lartë të shtetit ukrainas, një akord që Kievi shpreson se do të sigurojë vazhdimësinë e mbështetjes amerikane në luftën kundër Rusisë.
Marrëveshja krijon Fondin e Investime për Rindërtim SHBA-Ukrainë, për të cilin Departamenti amerikan i Thesarit tha se do t’u mundësojë të dyja vendeve të “punojnë bashkërisht e të investojnë së bashku për të siguruar që asetet, talentet dhe kapacitetet tona të përbashkëta të përshpejtojnë rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës”.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se marrëveshja “është sinjal i qartë për Rusinë se administrata Trump është e përkushtuar ndaj një procesi paqeje të bazuar në një Ukrainë të lirë, sovrane e të begatë në afat të gjatë”.
Themelimin e Fondit, Bessent e quajti “partneritet ekonomik historik” dhe presidentit amerikan, Donald Trump, i atribuoi nxitjen për nënshkrimin e marrëveshjes, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës.
Siç ka thënë presidenti, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të ndihmojnë në ndërmjetësimin për përfundimin e kësaj lufte mizore dhe të pakupimtë.
Presidenti Trump është shprehur i pakënaqur me ritmin e ngadaltë të bisedimeve. Dy ditë më parë, Departamenti amerikan i Shtetit bëri një tjetër përpjekje për të nxitur përparim, duke paralajmëruar se SHBA-të mund të tërhiqen nga negociatat në mungesë të progresit.
Ministrja e Ekonomisë dhe zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko e nënshkroi marrëveshjen së bashku me Bessent-in, referuar Departamentit të Thesarit. Në një postim në Facebook, u shpreh se marrëveshja “mund të sjellë sukses për të dyja vendet tona” dhe “do të tërheqë investime globale në shtetin tonë”.
Svyrydenko theksoi se fondi do të financohet ekskluzivisht nga të ardhurat e licencave të reja, përkatësisht 50% nga licencat për materiale kritike e projekte të naftës dhe gazit që do të hyjnë në buxhetin e Ukrainës sapo të themelohet fondi.