Ukraina nxiti Kinën që të ushtrojë presion mbi Vladimir Putinin për të ecur drejt paqes, ndërsa presidenti rus mbërriti në Pekin pas pjesëmarrjes në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), ku mbrojti luftën që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz.
Duke marrë parasysh rolin e rëndësishëm gjeopolitik të Republikës Popullore të Kinës, ne do të mirëprisnim një rol më aktiv [të Pekinit] në sjelljen e paqes në Ukrainë mbi bazën e respektimit të Kartës së OKB-së, deklaroi Ministria e Jashtme e Ukrainës në një deklaratë, teksa Putin sot mbërriti në kryeqytetin kinez.
Deklarata e ministrisë vuri në dukje se deklarata përfundimtare e SCO-së shmangu çdo përmendje të konfliktit, i cili është shndërruar në një luftë të shkallës së plotë që prej pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.
Ne e konsiderojmë domethënëse që dokumenti kryesor përfundimtar i samitit, Deklarata e Tianxhinit prej 20 faqesh, nuk përmban asnjë përmendje të luftës ruse kundër Ukrainës. Eshtë befasuese që lufta më e madhe e agresionit në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore nuk u pasqyrua në një dokument kaq të rëndësishëm e themelor, ndërkohë që aty përmenden një sërë luftërash të tjera, sulmesh terroriste dhe ngjarjesh në botë. Mospërmendja e luftës së Rusisë në Ukrainë në deklaratë tregon dështimin e përpjekjeve diplomatike të Moskës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bën thirrje që Kina, një aleate e ngushtë e Rusisë, të ushtrojë presion mbi Putinin për t’i dhënë fund luftës.
Një tjetër ngjarje diplomatike e nivelit të lartë në Kinë do të mbahet nesër: një paradë e madhe ushtarake që përkujton 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Shumë liderë, përfshirë Putinin, po qëndrojnë në Kinë pas samitit të SCO-së, për të marrë pjesë në paradë.
Në samitin e SCO-së në Tianxhin, pranë Pekinit, Putin dërgoi një mesazh sfidues kundër Perëndimit për pushtimin e tij të Ukrainës, teksa qëndroi krah për krah me liderin kinez, Xi Jinping.
Putin theksoi se lufta në Ukrainë erdhi “jo si rezultat i një sulmi rus”, por për shkak të një grushti shteti të mbështetur nga Perëndimi në Kiev, referuar komenteve të transmetuara nga agjencia ruse e lajmeve TASS.