Bota

Ukraina sulmon portin rus, ndërsa Rubio takohet me Zelenskyy-n!

Një port në jug të Rusisë u godit nga një sulm i madh me dron gjatë natës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë. Guvernatori i rajonit të Krasnodarit, Veniamin Kondratyev, tha se sulmi ndodhi në portin e Tamanit, ku shpërthyen disa zjarre.

Sipas tij, janë dëmtuar një rezervuar nafte, një depo dhe terminale të ndryshme, ndërsa dy persona u plagosën dhe u dërguan në spital. Dëme janë raportuar edhe në disa fshatra përreth zonës së portit.

Ky sulm, i cilësuar si “masiv” nga autoritetet lokale, vjen në kuadër të intensifikimit të operacioneve ukrainase kundër objektivave strategjike ruse, duke synuar dobësimin e kapaciteteve logjistike dhe energjetike të Moskës.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ndau një përditësim nga takimi i tij me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, takim ky i zhvilluar në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë. Rubio tha se bisedimet u fokusuan te siguria e Ukrainës dhe thellimi i partneriteteve në fushat e mbrojtjes e të ekonomisë.

Presidenti Trump dëshiron një zgjidhje që i jep fund gjakderdhjes një herë e përgjithmonë, theksoi Rubio, duke shtuar se çështjet që mbeten për t’u zgjidhur janë të pakta, por ndër më të vështirat. Ai shprehu dyshime nëse Rusia është e gatshme të përfundojë luftën, megjithëse sipas tij “ata thonë se po”.