Komiku Vladimir Zelenskiy ka fituar numrin më të madh të votave në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë. Sipas sondazheve dalëse Zelenskiy ka siguruar 73.2% të votave përballë presidentit aktual Petro Poroshenko, i cili në garën për të siguruar një mandat të dytë ka marrë 25.3% të votave. “Këtë e bëmë së bashku”, tha Zelenskiy në një deklaratë pas shpalljes së sondazheve dalëse. Sipas ligjit zgjedhor të vendit, rezultatet zyrtare duhet të shpallen deri më 1 maj pas përfundimit të votimit në raundin e dytë. Fituesi i zgjedhjeve duhet që deri më 31 maj të bëjë betimin dhe të nisë zyrtarisht detyrën. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë u mbajt më 31 mars, ndërsa Zelenskiy dhe Poroshenko zunë dy vendet e para në mesin e 39 kandidatëve.