Një kopsht zoologjik në Kharviv të Ukrainës thotë se mund t’i duhet t’i japë fund jetës së disa kafshëve përmes eutanazisë, pasi bombardimet ruse shkatërruan rrethimet. ‘Feldman Ecopark’ po përpiqet të zhvendosë kafshët, por nëse ky opsion dështon, disa kafshë, si luanët dhe tigrat, do të duhet të vihen përgjithmonë në gjumë. Themeluesi i kopshtit zoologjik, Alexander Feldman në një deklaratë video tha se:
Feldman Ecopark nuk ekziston më. Kopshti zoologjik iu nënshtrua një bombardimi që e shkatërroi atë. Rrethimet e kafshëve u dëmtuan shumë dhe Feldman paralajmëroi se disa kafshë mund të dilnin në rrugë. Ndërsa arinjtë ishin në gjendje të keqe, tigrat dhe luanët janë gjallë. Sot ne po vendosim, kemi kohë deri në mbrëmje, nëse do t’i vendosim të gjithë në gjumë apo t’i transportojmë diku tjetër. Ndoshta do të shpëtojmë të vegjlit e jaguarëve, të panterave, por të gjitha kafshëve të rritura ndoshta do t’u jepet fund.

Në mbishkrimin e videos, kopshti zoologjik tha se specialistët e tij po shqyrtonin mundësinë e strehimit të përkohshëm të disa kafshëve në Chutovo, në rajonin e Poltava të Ukrainës.
Në rast të dështimit, e vetmja mundësi që na mbetet është t’i vëmë në gjumë grabitqarët. Është e paimagjinueshme të flitet për këtë, por prioriteti kryesor tani është jeta e njerëzve.

Ekziston një problem për lëvizjen e kafshëve të mëdha, sepse një operacion i tillë kërkon praninë e një transporti special dhe pjesëmarrjen e një numri mjaft të madh njerëzish dhe në kushtet që ndodhet vendi kjo është shumë e vështirë. Rikujtojmë, se ariu i murrmë 20-vjeçar Vova, u shpëtua nga organizata për të drejtat e kafshëve “Four Paws”, me seli në Vjenë, Austri. Ariu dikur performonte në një restorant të djegur së fundmi në rajonin Khmelnytskyi të Ukrainës.
Ndërkaq, një luan dhe një ujk kanë gjetur një shtëpi të re pasi kanë lënë një Ukrainë të shkatërruar nga lufta. Në fillim të kësaj jave, një luan i quajtur Simba dhe një ujk i quajtur Akyla u evakuuan nga një kopsht zoologjik në Zaporizhzhia, Ukrainë, në një objekt tjetër në Radauti, Rumani, sipas një raporti nga Associated Press.