Një lajm i rëndësishëm për Shqipërinë dhe veçanërisht për rajonin e Shkodrës vjen nga UNESCO.
Në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit, organizata ndërkombëtare ka shpallur zyrtarisht Liqenin e Shkodrës si një nga 14 rezervat e reja të biosferës në botë për vitin 2026.
Me këtë vendim, Liqeni i Shkodrës bëhet pjesë e Rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës të UNESCO-s, i cili tashmë numëron 797 zona të mbrojtura në 145 vende të botës.
UNESCO vlerëson rezervat e biosferës si territore me vlera të jashtëzakonshme ekologjike, ku ruajtja e natyrës ecën paralelisht me zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e komuniteteve lokale. Përzgjedhja e Liqenit të Shkodrës konsiderohet një njohje ndërkombëtare për pasurinë e tij natyrore, biodiversitetin unik dhe rëndësinë që ka për ekosistemin e rajonit.
Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, Khaled El-Enany, deklaroi se rezervat e biosferës dëshmojnë çdo ditë se mbrojtja e natyrës dhe përmirësimi i jetës së njerëzve nuk janë qëllime në kundërshtim me njëra-tjetrën.
Për Shkodrën, ky status i ri pritet të sjellë më shumë vëmendje ndërkombëtare, mundësi për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, projekte mjedisore dhe promovimin e një prej pasurive më të rëndësishme natyrore të Ballkanit.
Liqeni i Shkodrës ishte një nga 14 zonat e reja të shpallura këtë vit nga UNESCO, krahas rezervave të reja në vende si Kanadaja, Portugalia, Mongolia, Filipinet dhe Vietnami.