Bota

1 në 3 fëmijë është obez, OBSH: Obeziteti më i shprehur tek djemtë!

1 në 3 fëmijë në Europë përfshirë edhe Shqipërinë janë mbipeshë apo obez.

Ekspertët vlerësojnë se ky fenomen është në rritje të vazhdueshme dhe për këtë fajësojnë mënyrën e të ushqyerit, stilin e jetesës dhe mungesën e aktivitetit fizik.

Të dhënat e OBSH-së të përdorura për të identifikuar tendencat vijnë nga raundi i fundit i Iniciativës Evropiane të Mbikëqyrjes së Obezitetit të Fëmijëve, e cila u zhvillua midis viteve 2018 dhe 2020.

Specialistët kanë konstatuar se 29% e fëmijëve të moshës 7-9 vjeç në Europë janë mbipeshë. Prevalenca e mbipeshës dhe obezitetit tek djemtë është 31%, ndërsa tek vajzat është 28%. Me rritjen e moshës edhe prevalenca e obezitetit rritet tek djemtë.

Ekspertët kanë marrë në analizë ushqyerjen e fëmijëve të grupmoshës 6-9 vjeç, ku është vënë re se 75% e tyre hanë mëngjes çdo ditë ndërsa 3% nuk e bëjnë kurrë këtë.

Për specialistët ky është një lajm i mirë pasi mëngjesi është një element i rëndësishëm i një diete të shëndetshme duke reduktuar rreziqet shëndetësore që lidhen me mbipeshën dhe obezitetin.

Kur vjen puna tek konsumi i frutave, vihet re se vetëm 43% e fëmijëve konsumojnë fruta të freskëta çdo ditë, ndërsa  11% e fëmijëve nuk hanë kurrë perime.

Konsumi i përditshëm i frutave dhe perimeve për specialistët është një tjetër pjesë e rëndësishme e një diete të shëndetshme.

Ngrënia e frutave dhe perimeve në baza ditore priret të jetë më e zakonshme tek fëmijët e prindërve me nivel të lartë arsimor sesa tek fëmijët e prindërve me nivel më të ulët arsimor.