Bota

Së shpejti Tokio do të njohë martesat midis homoseksualëve!

Duke nisur nga nëntori i këtij viti, Tokio do të njohë martesat midis personave homoseksualë. Në këtë mënyrë kryeqyteti japonez bëhet qyteti më i madh në vend që merr hapin e madh të njohjes së lidhjeve të homoseksulaëve. Japonia është i vetmi vend i G7 që nuk njeh martesat e të njëjtit seks, me kushtetutën që thotë se “martesa mund të bëhet vetëm me pëlqimin e të dy gjinive”.

Megjithatë, vitet e fundit, autoritetet lokale në të gjithë vendin kanë ndërmarrë hapa për të njohur marrëdhëniet e të njëjtit seks, megjithëse kjo nuk u jep atyre të njëjtat të drejta si çiftet e martuara. Një zëdhënës i autoriteteve të Tokios tha se:

Ne kemi dëgjuar opinionin e qytetarëve gjatë dy muajve të fundit dhe pikëpamjet e çifteve homoseksualë të cilët kanë deklaruar se duan të njihen si partnerë.

Autoritetet lokale në zonën metropolitane të Tokios do t’i kërkojnë Këshillit të qytetit në qershor që të miratojë rishikimin e rregullave ekzistuese, më pas në tetor do të fillojnë të pranojnë aplikimet e çiftit dhe në nëntor do të lëshojnë certifikatat.

Tokio synon t’u ofrojë çifteve homoseksuale një sërë shërbimesh që deri tani kanë të bëjnë vetëm me çiftet e martuara, si për shembull mundësia për të aplikuar për apartamente. Në vitin 2015, periferia Shibuya e Tokios u bë e para në Japoni që lëshoi certifikata për çiftet homoseksuale.

Rikujtojmë, se së fundmi Papa Françesku ka dalë me një thirrje të veçantë. Kreu i Vatikanit u kërkoi prindërve të fëmijëve homoseksualë që të mos i përbuzin apo dënojnë ata, por t’u ofrojnë mbështetje. Kreu i Kishës Katolike shprehu se:

Prindërit që shohin orientim seksual ndryshe tek fëmijët e tyre dhe si të përballen me një fenomen të tillë, duhet t’i shoqërojnë fëmijët dhe jo të fshihen pas një qëndrimi dënues.