Art & Kulturë

A do merrnin pjesë në koncertin e këngëtarit serb Goran Bregoviç në Korçë apo jo, sondazhi i TAR sjell përgjigjet e shqiptarëve!

Festa e Birrës që organizohet në Korçë do të rikthehet edhe këtë vit duke nisur nga 18 deri më 22 Gusht. Ndërkohë lajmi se një nga të ftuarit në këtë event do të jetë dhe këngëtari serb Goran Bregovic u bë viral shumë shpejt në rrejt. Të shumtë ishin artistët dhe figurat publike që u shprehën kundër ardhjes së tij në vendin tonë.

Kujtojmë se këngëtarja e njohur, Besa Kokëdhima ka reaguar ashpër lidhur me këtë detaj. Nëpërmjet rrjeteve të saj sociale, artistja bën thirrje që të bojkotohet pjesëmarrja në këtë event, pasi sipas saj ai nuk është një njeri i mirë.

Një tjetër personazh publik që nuk dëshiron ardhjen e Bregovic në Shqipëri, është Fjoralba Ponari. Në një InstaStory ajo shfaq hapur zemërimin e saj në lidhje me artistin serb. Sipas saj, nuk konceptohet festimi e hareja me asnjë artist serb që ka bërë thirrje lufte me muzikën kundër shqiptarëve.

Gjithashtu, Fatma Haxhialiu ka bërë një postim në Instagram ku është shprehur totalisht kundër ardhjes së tij. Ajo bën një qartësim se çfarë është art dhe si ngatërrohet arti në Shqipëri duke dashur kështu të japë mesazhin për ndalimin e ardhjes së tij në vendin tonë.

Edhe tenori Ramë Lahaj ka bërë një postim në Instagram ku ka shprehur kundërshtinë e tij lidhur me ardhjen e Bregovic në Shqipëri. Ai nuk e quan aspak vendim të mirë këtë gjë dhe sugjeron anulimin sa më të shpejtë.

Por ç’mendojnë shqiptarët lidhur me ardhjen e Goran Bregovic në Korçë? A do të marrin pjesë ata në koncertin e këngëtarit serb?

Sipas sondazhit të bërë nga TAR ku shqiptarët janë pyetur nëse do të merrnin pjesë në koncertin e Bregovic në Korçë, 63% e tyre janë përgjigjur me “Jo”, 25% me “Nuk kam interes” dhe 13% “Po”.