Bota Tech

Amerika kundër TikTok-ut, mes dilemave vjen miratimi i parë për të vepruar!

Në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Komiteti për  Marrëdhëniet me Jashtë i dha dritën jeshile presidentit Joe Biden të ndalojë TikTok-un kinez. Ky përbën kufizimin më të gjerë të SHBA-ve për një aplikacion të rrjeteve sociale.

Ligjvënësit votuan me 24 vota pro e 16 kundër duke miratuar dhënien e kompetencave që administrata Biden të ndalojë aplikacionin në pronësi të ByteDance, që përdoret nga mbi 100 milion amerikanë. Masa vlen edhe për të tjera aplikacione që konsiderohen “rreziqe sigurie”. Ligjvënësi republikan, Michael McCaul:

TikTok është një kërcënim për sigurinë kombëtare… Eshtë koha për të vepruar. Çdokush me një TikTok të shkarkuar i jep Partisë Komuniste të Kinës një derë të pasme për të gjithë informacionin personal. Eshtë një “tullumbace” spiune në telefonin e tyre.

Demokratët e kundërshtuan projektligjin, duke e quajtur “të nxituar” dhe shtuan se kërkon kujdes e të konsultohet me ekspertët. Aty nuk specifikohet me detaje si do të funksionojë ndalimi, por i Biden-it i jep fuqinë për të ndaluar çdo transaksion me TikTok. Nga ana tjetër mund të parandalojë këdo në Shtetet e Bashkuara nga aksesi ose shkarkimi i aplikacionit në telefona.

Po ashtu, shefi i Shtëpisë së Bardhë autorizohet të vendosë një ndalim për çdo subjekt që mund të transferojë të dhëna personale të ndjeshme te një ent i ndikuar nga Kina.

Javët e fundit, TikTok është vënë në shënjestër të vazhdueshme, për shkak të frikës se të dhënat e përdoruesve mund të përfundojnë në duart e qeverisë kineze, duke minuar interesat e sigurisë perëndimore.

Pak ditë më parë, Shtëpia e Bardhë u dha agjencive qeveritare 30 ditë për të siguruar që TikTok të mos jetë në asnjë pajisje të institucioneve. Më shumë se 30 shtete të Amerikës, Kanadasë e institucione të Bashkimit Europian ndaluan instalimin e TikTok-ut në pajisjet shtetërore.

Fati i masës së fundit ende është i pasigurt e përballet me pengesa të mëdha përpara se të bëhet ligj. Përpara se të shkojë te Biden-i, projektligji do të duhet të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati Amerikan, i cili kontrollohet nga demokratët.

Pas votimit, një zëdhënëse e TikTok-ut u shpreh:

Ndalimi i TikTok-ut nga SHBA-të është një ndalim i eksportit të kulturës dhe vlerave amerikane për miliarda njerëz që përdorin shërbimin tonë në mbarë botën.

Administrata Biden nuk sinjalizon plane për avancim apo jo me draftin.  Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre deklaroi:

TikTok paraqet një problem e ne kemi shqetësime pasi lidhet me të dhënat e amerikanëve.

INSTINKT PER TE NDALUAR

Gregory Meeks, demokrati më i lartë në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se e kundërshton fuqimisht ligjin, por i kupton shqetësimet rreth TikTok-ut. Ai dëshiron që bisedimet të vazhdojnë.

Projektligji është i rrezikshëm, i gjerë dhe do të kërkonte sanksione të SHBA-ve ndaj kompanive koreane e tajvaneze që furnizojnë ato kineze me çipa e të tjera pajisje për shkak të kufizimeve masive në transferimin e të dhënave në Kinë.

Komiteti i qeverisë amerikane për Investimet e Huaja në Shtetet e Bashkuara (CFIUS), një organ i fuqishëm i sigurisë kombëtare, në vitin 2020 rekomandoi unanimisht ByteDance-in lidhur me heqjen e TikTok. Kjo për shkak të frikës se të dhënat e përdoruesve mund t’i kalojnë qeverisë së Kinës.

TikTok dhe CFIUS negociuan për më shumë se dy vjet mbi kërkesat e sigurisë së të dhënave. TikTok tha se shpenzoi mbi 1.5 miliardë dollarë në përpjekjet rigoroze të sigurisë së të dhënave e hedh poshtë akuzat për spiunazh.

Unioni Amerikan i Lirive Civile u bëri thirrje ligjvënësve që të kundërshtojnë projektligjin, duke e quajtur “shkelje serioze të të drejtave të Amendamentit të Parë”.

McCaul i tha Reuters-it pas votimit pret që projektligji të votohet nga Dhoma e Përfaqësuesve këtë muaj. Shefi Ekzekutiv i TikTok, Shou Zi Chew do të paraqitet para Komitetit të Energjisë dhe Tregtisë në SHBA më 23 mars.