Health & Beauty Tech

Aplikacioni “magjik” që ju paralajmëron kur është e nevojshme të aplikohet mbrojtja nga dielli!

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka prezantuar së fundmi një aplikacion të ri në smartphone-t tuaj që regjistron informacione për nivelet e rrezatimit ultravjollcë (UV) dhe paralajmëron kur është e nevojshme të aplikohet mbrojtja nga dielli. Zhvilluar në partneritet me Organizatën Botërore Meteorologjike (WMO), Programin e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) dhe Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO), SunSmart Global UV është falas (Apple App dhe Google Play) dhe kërkon të zvogëlojë barrën globale të kancerit të lëkurës dhe dëmtimeve të lidhura me UV.

Aplikacioni përdor të dhënat aktuale nga shërbimet e motit. Maria Neira, drejtore e Departamentit të Mjedisit, Ndryshimeve Klimatike dhe Shëndetit të OBSH-së tha se:

Dëshmitë tregojnë se ekspozimi i tepërt ndaj ultravjollcës është një shkaktar kryesor i kancerit të lëkurës. Kështu që është e rëndësishme që njerëzit të dinë kur dhe si të mbrohen.

Vlerësohet se më shumë se 1.5 milion raste të kancerit të lëkurës janë diagnostikuar globalisht në vitin 2020.

Në të njëjtën periudhë, më shumë se 120 mijë njerëz në mbarë botën humbën jetën nga sëmundja. Sidomos gjatë verës, niveli i rrezatimit UV është shumë i lartë dhe mbrojtja e lëkurës është e rëndësishme.

Sipas WMO, rrezatimi UV vlerësohet në një shkallë nga 1 (i ulët) në 11 ose më shumë (ekstrem). Mbrojtja nga dielli rekomandohet nga niveli 3. Në Evropë, rrezatimi shpesh arrin nivelin 8 gjatë ditëve të verës. Vera tashmë ka ardhur dhe ku ka më mirë se ta shpenzoni në plazh këtë periudhë të nxehtë, apo jo? E, një ‘mik’ i mirë që na shoqëron ditëve me diell është pikërisht kremi i diellit me faktor mbrojtës.

Së bashku me hidratimin adekuat me bazë uji, kremi mbrojtës është aleati më i mirë gjatë kësaj periudhe të vitit, veçanërisht kur shkoni në plazh ose në zona ku është shumë nxehtë. Përveç kësaj, përdorimi i tij është thelbësor për të shmangur dëmtimin dhe plakjen e lëkurës, njollat, alergjitë nga dielli ose në rastin më të keq, ndonjë lloj kanceri të lëkurës. Në këtë mënyrë, ekspertët kanë vënë në dukje se cila është zona ku harroni gjithmonë të aplikoni krem kundër diellit.