Bota Tech

Aplikacioni që do të zëvendësojë Instagram-in në Rusi!

Miliona qytetarë rusë nuk do të mund të përdorin më llogaritë e tyre në Instagram. Sipas Shërbimit Federal të Mbikëqyrjes së Telekomunikacionit dhe Medias në Rusi, njohur ndryshe si Roskomnadzor, kjo platformë u bllokua për shkak se kompania mëmë Meta, e cila zotëron Facebook, Instagram, Whatsapp dhe Messenger, njoftoi se nuk do të censuronte thirrjet e përdoruesve të këtyre rrjeteve sociale kundër presidentit Putin dhe ushtarëve ruse.

Së fundmi sipërmarrësit rusë të teknologjisë do të lançojnë një aplikacion të ngjashëm me Instagram për ndarjen e fotografive. Shërbimi i ri, i njohur si Rossgram, do të jetë i disponueshëm për përdoruesit më 28 mars dhe do të ofrojë edhe akses me pagesë për disa përmbajtje. Alexander Zobov, drejtor i marrëdhënieve me publikun të Rossgram tha se:

Partneri im Kirill Filimonov dhe grupi ynë i zhvilluesve ishin gati për këtë kthesë të ngjarjeve dhe vendosën të mos humbisnin mundësinë për të krijuar një analog rus të një rrjeti social popullor e të dashur nga bashkatdhetarët tanë.

Ndërkaq, nëse për disa njerëz, Instagram-i është thjesht një hapësirë virtuale ku ata ndajnë foto dhe video me miqtë e familjarët e tyre, të shumtë janë ata që këtë rrjet social e konsiderojnë tanimë një vend pune ku gjenerojnë të ardhura. Prej disa vitesh, termat ‘bloggers’ dhe ‘influencers’ janë bërë pjesë e pandashme e një realiteti të ri jo vetëm gjuhësor, por edhe teknologjik e ekonomik.

Ata numërojnë me mijëra, shpeshherë edhe miliona ndjekës me të cilët ndajnë rregullisht postimet e tyre rreth gjërave që pëlqejnë dhe ndikojnë që ndjekësit e tyre të marrin pjesë në një aktivitet ose të blejnë produkte dhe shërbime të caktuara. Në këto orë, shumë influencues rusë po dëshpërohen për vendimin e qeverisë për të bllokuar aksesin në Instagram. “Il Messaggero” raporton fjalët e një vajze, blogere ruse e cila me lot shpjegon se Instagrami është ‘e gjithë jeta e saj’.

Sjellim në vëmendje se Starlink, aplikacioni që u mundëson përdoruesve celular të aksesojnë shërbimin e internetit satelitor të SpaceX me të njëjtin emër, është aplikacioni më i shkarkuar në Ukrainë, duke arritur së fundmi vendin e parë. Aplikacioni është shkarkuar gati 100.000 herë në Ukrainë, me shkarkime globale të trefishuara në dy javët e fundit.