Ndërsa mbetet e tensionuar situata në veriun e Kosovës me shumicë serbe, njësitë speciale të policisë gjetën sasi të mëdha armatimesh në Zveçan. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri të ditur se u zbuluan në “një makinë me targa të Beogradit, rreth 100 metra larg komunës së Zveçanit”. Sipas zyrtarit, aty kishte armë automatike, mjete shpërthyese, municione, granatahedhës, shok-bomba, uniforma e çanta ushtarake. Në një postim në Facebook shkruan:
Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës. Policia e Kosovës bashkë me të gjitha organet e tjera të sigurisë vazhdojnë angazhimet e tyre në parandalimin e çdo akti të mundshëm që synon cënimin e sigurisë së vendit.
Institucionet e sigurisë dhanë informacione se javët e fundit, nga Serbia në Kosovë kanë hyrë automjete me armatime ushtarake.
Në veri të Kosovës, tensionet nisën më 26 maj kur kryetarët shqiptarë të Leposaviçit, Zubin Potokut e Zveçanit hynë në ndërtesat komunale me ndihmën e policisë. Që atëherë, serbët vazhdimisht kanë protestuar. Protestat u përshkallëzuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, ku serbët u përleshën me ushtarët e KFOR-it. Dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët.
Tensionet u përkeqësuan më shumë më 14 qershor, kur forcat serbe arrestuan tre policë të Kosovës. Serbia thotë se arrestimi u krye brenda territorit të saj, por Prishtina deklaron se u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës.
Kosova dhe faktori ndërkombëtar kërkojnë lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve.
Për ta qetësuar situatën në veri, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, më 22 qershor ftoi në takim kryeministrin Albin Kurtin dhe presidentin serb, Aleksander Vuçiç. Ata ranë dakord lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Borrell theksoi se “pavarësisht takimeve në Bruksel, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm në veri të Kosovës”. Zyrtari i lartë shtoi se BE-ja nuk do ta tolerojë këtë.