Bota Botë e Çuditshme

Arrestohen tre gjuetarë për vrasjen e një ariu të murrmë!

Së fundmi policia në Sllovaki arrestoi tre gjuetarë të dyshuar për vrasjen e një ariu të murrmë. “Burrat, të cilët vinin nga Republika Çeke fqinje, u kapën duke transportuar kafshën në makinën e tyre”, tha departamenti special i Sllovakisë për krimin mjedisor, sipas agjencisë TASR. Ka nisur edhe një procedim penal.

Nëse shpallen fajtorë, ata përballen me 5 vjet burg. Arinjtë e murrmë janë nën mbrojtje të rreptë në Evropë. Sipas një studimi të vitit të kaluar bazuar në analizat e ADN-së, rreth 1 000 syresh ende enden në vargun malor të Karpateve Perëndimore të Sllovakisë. Sipas vlerësimeve të organizatave për ruajtjen e natyrës, dhjetëra arinj të tillë bien viktima të gjuetarëve pa leje çdo vit.

Rikujtojmë, se Sllovenia do të vrasë 230 arinj të murrmë për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Lajmin e dha ministri i Burimeve Natyrore dhe Çështjeve Territoriale, Uros Brezan, sipas të cilit kjo është një masë e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve dhe për të shmangur dëmtimin e tepërt të shkaktuar nga këto kafshë. Qëllimi është që në vitet e ardhshme numri i arinjve të arrijë në 800. Aktualisht në Slloveni janë rreth 1100, por për një zonë si Sllovenia popullsia ideale do të ishte 450-500 arinj.