Rajoni

Bastisen dhe sekuestrohen pronat e serbit Milan Radoiçiç në veri të Kosovës!

Autoritetet bastisën e sekuestruan prona të politikanit serb Milan Radoiçiç, në veri të Kosovës. Kjo u bë si pjesë e një operacioni zyrtar lidhur me sulmin ndaj policisë më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit. Më herët, nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiç pranoi se e organizoi dhe e drejtoi atë sulm.

Bastisjet u kryen në pesë lokacione në komunat veriore të Kosovës, kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të të dyshuarve M.R dhe V.R.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale, përmenden me iniciale Radoiçiçi dhe Vladimir Radivojeviç, ky i fundit drejtues i një grupi tifozësh të klubit të futbollit Crvena Zvezda.

Prokuroria shtoi se ka parashtruar urdhrin ndalues për sekuestrimin e një vile buzë liqenit të Ujmanit, një banesë e një lokal. Kontrolle u kryen edhe në një objekt të Spitalit Rajonal në Mitrovicë të Veriut.

Ky objekt përdoret për sistemin e ngrohjes së spitalit e nuk lidhet me hapësirat e spitalit ku trajtohen pacientët.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar si prova materiale: dy vetura të llojit Mercedes, dy motorë 4×4, një barkë (anije), dy pllaka antiplumb dhe dy mbrojtëse, pesë gëzhoja, një dron, thika, një shënjestër dhe pajisje të tjera elektronike, sikurse shtatë telefona celurura, kamerë GoPro, një videokamerë, USB, ruterë etj.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se bastisjet kishin të bënin me sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

Sulmi terrorist me të cilin është përballur Policia e Kosovës në fshatin Banjska të Zveçanit do të hetohet detajisht dhe deri në fund.

Në terren, zyrtarët policorë ishin edhe te restorant “Grey” në Mitrovicën e Veriut e që besohet se është në pronësi të Ema Radoiçiçit, bashkëshortes së nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç.

Autoritetet thanë se kontrollet i kryen në koordinim me misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit, EULEX dhe misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.