Edhe sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti se është i gatshëm të dëshmojë në rastin e rezervave shtetërore dhe sërish i ftoi hetuesit e Prokurorisë Speciale që të shkojnë në zyrën e tij. Kurti i bëri komentet në Gjilan, ku mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të një kopshti për fëmijë.
Koha e vizitës atje, 10:00 e paradites, përkoi me të thirrjes nga Prokuroria Speciale e Kosovës, me urdhër nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Por, Kurti nuk u paraqit dhe nga Gjilani deklaroi:
Asnjëherë s’kam thënë se s’do të jap dëshmi dhe e refuzoj…Kam thënë se jam i gatshëm dhe i interesuar. Kam shkruar letër ku kam treguar edhe oraret kur mund të bëhen. Mirëpres Prokurorinë e Shtetit në zyrën e kryeministrit.
Dje, Gjykata Themelore në Prishtinë konfirmoi se dha një urdhër që e detyron të japë dëshminë e tij, në cilësinë e dëshmitarit, në një rast që ka të bëjë me dyshimet për shpërdorime me rezervat shtetërore. Kjo pasi kryeministri nuk është paraqitur në dy ftesa që Prokuroria i bëri në muajt e fundit.
Disa herë, Albin Kurti ka thënë se nuk i refuzoi ftesat, por këmbëngul që dëshminë ta japë në Kryeministri. Zyra e tij dërgoi kërkesë në Gjykatën Themelore, duke i kërkuar këtij institucioni ta urdhërojë Prokurorinë që dëshmia të merret në Kryeministri.
Kurti pretendon se Prokuroria ka marrë dëshmi në zyrën e kryeministrit edhe në të kaluarën, pa përmendur ndonjë emër. Ndërkaq, refuzimin për të shkuar në Prokurori e arsyeton me deklaratën se nuk dëshiron të bëhet “lajm botëror që kinse, kryeministri po dyshohet për një rast korrupsioni”. Në të njëjtën linjë me të është edhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu.
Për të, kërkesa e Prokurorisë ndaj Kurtit është politike. Haxhiu reagoi më 26 shkurt dhe pa përmendur emra e pa dhënë ndonjë dëshmi në lidhje me pretendimet e bëra, u shpreh:
Sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës, kurrë më i lirë nuk ka qenë nga ndikimi politik. Por, më duhet të them, kurrë më politik nuk ka qenë. Duke qenë se nuk kanë mundur të na ndalin me veprime në Kuvend, opozita, ose dikush nga analistët në studiot televizive, kanë zgjedhur me Prokurorinë Speciale, por nuk mund të na ndalin.
Në vitin 2023, tre persona u arrestuan për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që drejtohet nga ministrja Rozeta Hajdari, e cila gjatë paraqitjes për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale, zgjodhi që të mbrohet në heshtje.