Bota

BE paralajmëron vëndet anëtare për dozën e tretë të vaksinës anti-COVID!

Vendet e Bashkimit Europian mund të përballen me pasoja ligjore për shkak të rekomandimeve për një dozë shtesë të vaksinës kundër koronavirusit. Kjo për faktin se një dozë përforcuese ende nuk është miratuar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA).

Agjencia ka thënë vazhdimisht se duhet të ketë më shumë të dhëna para se të miratojë përdorimin e një doze shtesë. Deri më tani tetë vende europiane kanë rekomanduar vaksinimin me një dozë shtesë dhe disa të tjera pritet të marrin të njëjtin vendim. Komisioni Europian tha në një deklaratë për “Reuters” se:

Dozat përforcuese aktualisht nuk janë pjesë e autorizimit të vaksinave për COVID-19 dhe ende nuk i janë nënshtruar një vlerësimi shkencor nga EMA në mungesë të të dhënave të mjaftueshme.

KE shtoi se vendet anëtare mund të vendosin veç e veç për një rekomandim të tillë, por u shpreh se ato mbajnë pastaj barrën e çdo pasoje ligjore dhe kërkesash për kompensim, në rast se dikush ka efekte anësore të papritura. Komisioni gjithashtu tha se edhe kompanitë do të kenë përgjegjesi nëse dozat shtesë administrohen pa miratimin e EMA-s. Komisioni vazhdon duke thënë se:

Për shembull, nëse një efekt anësor pas një doze përforcuese shkaktohet nga problemet e prodhimit, prodhuesi i vaksinave do të mbetet përgjegjës për të.

Që COVID-19 është një sëmundje shumë e transmetueshme, ky tanimë është një fakt i vërtetuar dhe përhapja e shpejtë e këtij virusi në të gjithë globin gati dy vjet më parë dëshmon për këtë. Ajo që nuk ishte shumë e qartë deri tani ishte se si njerëzit e infektuar përhapin virusin. Ose, kur saktësisht dhe në çfarë mase, njerëzit e infektuar me virusin kanë më shumë gjasa ta përhapin atë tek të tjerët.

Rikujtojmë, se prezantuesja e BBC-së Lisa Shaw ka ndërruar jetë për shkak të komplikacioneve nga vaksina AstraZeneca, tre javë pasi mori dozën e parë. Besohet të jetë hera e parë që një dozë vaksine anti-COVID zyrtarizohet si shkaku themelor i vdekjes në Mbretërinë e Bashkuar.