Health & Beauty

Bëni këto ushtrime në mënyrë që të keni tru më të shëndetshëm, sipas studimit!

Vetëm gjashtë minuta ushtrime me intensitet të lartë në ditë mund të ndihmojnë në vonimin e fillimit të Alzheimerit, sugjeron një studim i ri. Shkencëtarët kanë zbuluar aktiviteti fizik intensiv mund të zgjasë jetëgjatësinë e një truri të shëndetshëm dhe të vonojnë rënien njohëse. Ekipi, nga “Universiteti i Otagos” në Zelandën e Re, rekrutoi 12 persona si pjesë e studimit të tyre. Ata donin të gjenin mënyrën më të mirë për të rritur prodhimin e një proteine të caktuar, të quajtur faktori neurotrofik i rrjedhur nga truri (BDNF).

Kjo proteinë dihet tashmë se është thelbësore për formimin e trurit, kujtesën dhe promovon aftësinë e trurit për të krijuar lidhje dhe rrugë të reja. Studimet tek kafshët kanë treguar se rritja e disponueshmërisë së BDNF inkurajon formimin dhe ruajtjen e kujtimeve, rrit të mësuarit dhe rrit performancën njohëse. Megjithatë, ndërhyrjet farmaceutike, të tilla si marrja e medikamenteve, nuk kanë qenë në gjendje të rrisin me sukses sasinë e BDNF të prodhuar nga trupi i njeriut.

Pjesëmarrësit u analizuan nga afër ndërsa ndërmorën katër mënyra të ndryshme të mundshme për të rritur proteinën. Kjo përfshinte agjërimin për 20 orë, 90 minuta çiklizëm me intensitet të ulët, një periudhë gjashtëminutëshe ushtrimesh të forta që përbëheshin nga 40 sekonda ecje me biçikletë dhe 20 sekonda pushim, ose agjërim dhe stërvitje të kombinuar.

Rezultatet, të publikuara në revistën “The Journal of Physiology”, zbuluan se ushtrimet e shkurtra, por të forta ishin mënyra më efikase për të rritur BDNF, pasi u rrit deri në pesë herë në krahasim me ata që agjëronin ose bënin ushtrime të lehta.

Studiuesit sugjerojnë se kjo mund të jetë për shkak se stërvitja intensive rrit numrin e trombociteve, të cilat ruajnë sasi të mëdha të proteinave  që lëshohen nga trupi. Autori kryesor Travis Gibbons tha:

BDNF ka treguar rezultate të mëdha në modelet e kafshëve, por ndërhyrjet farmaceutike deri më tani kanë dështuar në shfrytëzimin e sigurt të fuqisë mbrojtëse të BDNF te njerëzit. Ne pamë nevojën për të eksploruar qasje jo-farmakologjike që mund të ruajnë kapacitetin e trurit që njerëzit mund të përdorin për të rritur natyrshëm BDNF për të ndihmuar me plakjen e shëndetshme.”

Një studim i kohëve të fundit zbuloi gjithashtu se shpërthimet një minutëshe të aktivitetit të përditshëm si vrapimi për një autobus mund të ndihmojnë në zgjatjen e jetës.