Aktualitet

Berisha: Krimi i komisarit xhelat, dëshmi se shteti është i mbushur me të tillë!

Për ngushëllime për vdekjen tragjike e tronditëse në Potam të Himarës të vajzës 7-vjeçe Jonada Avdia, krahas kreut të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, në familjen e viktimës ishte sot edhe kryedemokrati Berisha.

Unë erdha për t’i shprehur ngushëllimet më të ndjera të miat, të familjes time dhe të PD-së. Erdha si qytetar, për familjen e Jonadës, e cila humbi jetën në një krim horror që ka tronditur thellë çdo shqiptar. Kjo ngjarje ka tronditur çdo njeri; si ngjarje, si krim i shëmtuar. Duhej të ishe vetëm një individ si ai që e kreu, se kurrë nuk mund të ndodhte një akt i tillë. Një akt i tillë është jashtë përfytyrimit për një qytetar të thjeshtë, po të kryhej nga një qytetar i thjeshtë. Por, në fakt ky akt u krye nga një njeri i qeverisë, ky akt u krye me një mjet monstruoz krimi, siç ishte skafi me 600 kuaj fuqi. Ky akt u krye në distancën më të afërt me rërën, tre-katër metra, në prani të qindra fëmijëve, pushuesve të tjera, që loznin aty. Në këtë aspekt, komisari nuk është asgjë tjetër veçse një xhelat. Krimi është një dëshmi e një shteti të mbushur me të tillë.

Berisha deklaroi se “në vend që të shkarkojë ministrin e Brendshëm, Rama i vërsulet gazetarëve dhe politikanëve”.

Nuk është rastësi që ky xhelat skafist nuk bëri asgjë tjetër, veçse imitoi ministrin e tij me skaf. Edi Rama flet në mënyrën më të përçartur për vampirë politikë dhe mediatikë. Po të hyjmë në fushën e vampirëve, vampiri dhe xhelati ishte ai që vrau fëmijën pranë babait të tij. Ajo që e bën më të rëndë këtë dramë është se kryeministri i vendit, në vend që të shkarkojë ministrin e familjes, Çuçi, i vërsulet gazetarëve dhe politikanëve dhe i krahason ata me vampirë politikë. Pra, tregon se mban anën e vampirëve të vërtetë. Unë shfrytëzoj rastin të shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të ndjera kësaj familje fisnike, fisnikë të vërtetë dhe të dënoj me forcën më të madhe këtë akt barbar, të dënoj qëndrimin e papërgjegjshëm të Edi Ramës, ministrave të tij, të cilët konstatojnë apo shohin vampirë tek ata që ngrenë zërin për të dënuar një krim horror, i cili do të trondiste çdo vend të botës.

Berisha tha se do jetë i pranishëm sot në protestën e qytetarëve kundër krimit horror në Himarë.

Do jem në protestë si qytetar. Protesta është e qytetarëve. Demokratët do jenë në protestë si qytetarë.