Aktualitet

Kryeministri Rama përsërit apelin për ndëshkimin ekstrem të autorit të tragjedisë së Himarës!

Kryeministri Edi Rama reagoi edhe sot për ngjarjen e ndodhur dje në Himarë, ku humbi jetën një vajzë 7-vjeçare, e cila u godit nga një mjet lundrues i drejtuar nga një oficer policie. Rama theksoi se “çetat e udhëhequra nga nongratat kërkojnë ta kthejnë këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike”. Edhe njëherë, kryeministri uron që drejtësia t’i japë ndëshkimin më ekstrem fajtorit për këtë tragjedi.

Madhësia e tragjedisë së djeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër, ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s’lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar. Ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar! Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurtë, me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër.

Kryeministri Rama shprehet se “tragjedia e djeshme ka tronditur të madh e të vogël dhe ka krijuar një ndjenjë të rëndë shqetësimi, ndërkohë që Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar shumë më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor”.

Vizioni i Shqipërisë turistike dhe ambicia që kjo të jetë dekada e kthimit të vendit tonë në kampionin rajonal të turizmit, lidhet edhe me rritjen e lartë të mjeteve lundruese dhe sfidën e disiplinimit të tyre, që nuk është një fjalë goje në një vend ku deri dje ato s’ekzistonin. Shkarkimi i gjithë trupës së drejtorisë së kufirit Vlorë dhe vendosja e një fokusi të shtuar mbi qarkullimin ujor,janë hapat e duhur që do të pasohen nga hapa të tjerë,në kushtet kur rritja e përvitshme e numrit të mjeteve lundruese përbën një sfidë të vazhdueshme për të gjithë.

Sa për çetat e udhëhequra nga nongratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë, që kërkojnë ta kthejnë këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s’është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre.