Celebrities Live From Tirana

Blendi Salaj ju sfidon: “Provoni të mos e hapni 1 orë telefonin kur zgjoheni në mëngjes”!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar në studio moderatori dhe gazetari i njohur Blendi Salaj. Jetojmë në një kohë ku njerëzit janë të mbingarkuar nga informacioni dhe ndodh që shpeshherë çdokush të bie në ‘vorbullën’ e kësaj, të stresohet dhe rrjedhimisht të mos jetë i/e lumtur.

Përse është kaq e komplikuar të jemi të lumtur sipas Blendit?

Lumturia nuk është një fat i madh, është një e drejtë njerëzore sigurisht për mos ta ngatërruar me kënaqësinë. Një nga armiqtë e lumturisë është krahasimi siç ndodh shpesh në rrjetet sociale që sheh të tjerët dhe krahasohesh. Është natyrë e njeriut, është e vështirë të jesh i lumtur nëse sheh më të mirën që njerëzit reklamojnë nga dita e tyre. Ajo nuk është e vërteta e tyre por thjesht ajka e ditës. Nuk do të fajësoja dikë, por thjesht është e mirë të kuptosh që ajo që po sheh nuk ështe realisht ashtu, nuk është vetëm sllak dhe luleshtrydhe, jeta i ka të gjitha brenda. Nëse shikon Facebook-un, njerëzit vetëm ankohen dhe duan të largohen nga Shqipëria, nëse shikon Instagramin, Shqipëria shkëlqen dhe thua: ‘Prit cila është e vërteta?’

A ka vetëm disa momente lumturie në jetë?

Kënaqësi përfiton dhe ai që drogohet, hakmerret, kjo nuk është lumturi. Lumturia është diçka që ështe e jotja, bazohet te shëndeti, miqësia, e të pasurit, nuk mund të jesh i lumtur i zbathur, të paturit e një qëllimi në jetë, mos të vuash ekonomikisht. Ke shumë njerëz me para që janë në depresion dhe jo të lumtur. Paraja nuk ta siguron lumturinë. Mund të jesh në një marrëdhënie të shëndoshë por nëse vuan ekonomikisht nuk je i lumtur. Vajzat shpesh jepen shumë tek dikush dhe kur ai i braktis vuajnë shumë, është mirë ta bazojmë vlerësimin tonë te vetja jonë. Njerëzimi po ndryshon, gjërat që ne po bëjmë janë robotike. Kur zgjoheni në mëngjes mos e hapni telefonin orën e parë ose 30 minutat e para, rri me mendimet e tua përpara se të bombardohesh me budallallëqet nga njerëz të ndryshëm. Mëngjesi është një kohë e mirë për të medituar.