Rajoni

Çështja e targave zhvendos liberalizimin e vizave për Kosovën nga takimi i BE-së!

Propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që parashikon lëvizjen e lirë jo më larg se 1 janari 2024, u hoq nga axhenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. Arsyet janë politike e lidhen me situatën në veri të Kosovës. Presidenca çeke e Unionit bën të ditur se diskutimi për këtë çështje zhvendoset më 30 nëntor.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar, për shkak të vendimit të qeverisë Kurti për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe. Pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrje, Kurti nuk heq dorë. Aktualisht është pezulluar deri nesër faza e dytë e planit të tij, në përpjekje për t’i dhënë shans gjetjes së zgjidhjes së pranueshme për palët.

Me ndërmjetësim e të dërguarit të Bashkimit Europian për Dialogun, Mirosllav Lajçak, kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç takohen sot në Bruksel. Kjo për të diskutuar zgjidhjen lidhur me çështjen e targave ilegale serbe. Palët konfirmuan pjesëmarrjen në takimin e konsideruar urgjent.

Nevoja për përpjekje maksimale për arritjen e një marrëveshjeje për targat është theksuar edhe në një takim të zhvilluar dje mes Kurtit e ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Kosovë, Olivier Guerot e Jorn Rohde.

Takimi në Bruksel zhvillohet vetëm dy ditë pas atij që rezultoi pa marrëveshje mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç mbi çështjen e targave.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell e hodhi fajin te pala e Kosovës për mosarritjen e marrëveshjes. Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e shtyu me 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Faza e dytë përfshin gjoba 150 euro për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla. Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u shpreh se e shtyrjen e kërkoi për të lejuar zyrtarët europianë e amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë, për të gjetur zgjidhje rreth çështjes.