Rajoni

Zgjidhja për targat, vazhdojnë negociatat Kosovë-Serbi në Bruksel!

Me ndërmjetësim e të dërguarit të Bashkimit Europian për Dialogun, Mirosllav Lajçak, kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç takohen sot në Bruksel. Kjo për të diskutuar zgjidhjen lidhur me çështjen e targave ilegale serbe. Palët konfirmuan pjesëmarrjen në takimin e konsideruar urgjent.

Nevoja për përpjekje maksimale për arritjen e një marrëveshjeje për targat është theksuar edhe në një takim të zhvilluar dje mes Kurtit e ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Kosovë, Olivier Guerot e Jorn Rohde.

Takimi në Bruksel zhvillohet vetëm dy ditë pas atij që rezultoi pa marrëveshje mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç mbi çështjen e targave.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell e hodhi fajin te pala e Kosovës për mosarritjen e marrëveshjes. Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e shtyu me 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Po i bëjmë përpjekjet maksimale. Unë nuk mendoj që jemi në orët kur duhet të flasim për shtyrje të reja, duhet të flasim për intensitet maksimal, në mënyrë që brenda 48 orëve ta kemi marrëveshjen siç e synuam në Bruksel, duke mos u kufizuar në çështjet siç është puna e targave.

Faza e dytë përfshin gjoba 150 euro për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla. Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u shpreh se e shtyrjen e kërkoi për të lejuar zyrtarët europianë e amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë, për të gjetur zgjidhje rreth çështjes.

Kurti shtoi se prej takimit 8-orësh të 21 nëntorit, nuk ka qenë në kontakt me zyrtarët europianë lidhur me çështjen e targave.

Me keqardhje ritheksoj se Borrell braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e Bashkimit Europian duke thënë: “le ta kemi një darkordim për targat”. Nuk mjafton dakordimi për targat. Korrigjimi i gabimit të Borrellit është i domosdoshëm. Gabim i madh që të braktiset biseda për normalizim të marrëdhënieve dhe liderët, presidenti i Serbisë e unë si kryeministër i Kosovës, të flasim e të dakordohemi veçse për targat, për të cilat, dorën në zemër, as ai në Serbi, as unë në Kosovë, nuk jemi personat në kompetentë.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, hodhi poshtë çdo pretendim se BE-ja po heq dorë nga propozimi për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Presidenti Vuçiç tha se pala serbe do t’i respektojë këshillat dhe kërkesat e kryediplomatit europian, Borrell, i cili ndërmjetësoi bisedimet.