Aktualitet

COVAX nis shpërndarjen e vaksinave anti-COVID!

Gana bëhet i pari vend në botë që merr vaksina anti-COVID përmes COVAX-it. Ky program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë synon të sigurojë shpërndarjen e vaksinave dhe në vende të varfra. Deri në fund të vitit, përmes tij synohet të shpërndahen rreth dy miliardë doza vaksinash në të gjithë botën.

OBSH-ja deklaroi se “ky është zhvillim i rëndësishëm”. Gana, vend i Afrikës Perëndimore ka regjistruar rreth 81 mijë raste me koronavirus dhe 580 viktima që nga fillimi i pandemisë, pranverën e vitit të kaluar. Këto shifra besohet të jenë larg numrit real, për shkak të niveleve të ulëta të testimit.

Me anë të programit Covax  synohet që të sigurohen më shumë se dy miliardë doza për njerëzit në 190 vende në më pak se një vit, në veçanti, për 92 vende të varfëra .

Pjesë e programit është edhe Shqipëria, me anë të së cilit pritet të sigurohen 1 140 000 doza. Programi ka mbledhur 6 miliardë dollarë (4.3 miliardë £) deri më sot por do të duhen të paktën edhe 2 miliardë dollarë për të përmbushur synimin e tij në 2021.