Bota

Dalin në dritë detaje të reja për objektet e vjedhura nga Muzeu Britanik!

Një punonjës në Muzeun Britanik është pushuar nga puna dhe Policia Metropolitane ka nisur një hetim, pasi një numër artikujsh nga koleksioni i muzeut u zbuluan se kishin humbur, ishin vjedhur ose dëmtuar. Objektet me vlerë janë nxjerrë në shitje në platformën e ankandeve online eBay, sipas raportimeve në shtypin britanik.

Në mesin e thesareve në shitje kishte edhe xhevahire romake. Pa dhënë detaje, Muzeu Britanik deklaroi se midis sendeve ose të vjedhura ose të dëmtuara ka bizhuteri ari, gurë të çmuar dhe gjysmë të çmuar që datojnë nga shekulli i 15-të para Krishtit deri në shekullin e 19-të pas Krishtit. Shumica e tyre janë copa të vogla që mbaheshin në një magazinë që i përkiste një prej koleksioneve të muzeut dhe u përdorën për punë akademike dhe kërkimore.

Muzeu tha se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër punonjësit të shkarkuar, pa e përmendur emrin e tij. Mirëmbajtësi dyshohet se ka vjedhur bizhuteri të vogla ari dhe gurë të çmuar. Objektet në fjalë llogariten të kapin vlerën e dhjetëra milionë eurove. Firma ligjore Art Recovery International, e cila është e specializuar në çështjet e riatdhesimit, postoi në Twitter duke komentuar se skulpturat e Parthenonit mund të mos jenë të sigurta në Mbretërinë e Bashkuar.