Aktualitet

DASH: Dënojmë me forcë sulmin kibernetik iranian të 9 shtatorit kundër Shqipërisë!

Në një tjetër reagim për sulmin kibernetik të Iranit më 9 shtator ndaj sistemit TIMS në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënuan. Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se “ky ishte një sulm ndaj një aleati të NATO-s dhe se administrata amerikane do të punojë me Shqipërinë për të forcuar mbrojtjen kibernetike”. Në një postim në Twitter, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price shkruan:

Ne dënojmë me forcë sulmin kibernetik të 9 shtatorit kundër tonë aleatit tonë në NATO, Shqipërisë, e cila pason sulmin kibernetik të Iranit më 15 korrik. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me Shqipërinë dhe me aleatët dhe partnerët e tjerë për të forcuar mbrojtjen kibernetike dhe për të mbajtur përgjegjës aktorët keqdashës.

Edhe një ditë më parë, Uashingtoni dënoi sulmin kibernetik iranian të 9 shtatorit mbi sistemet e ruajtjes e transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit, përfshi TIMS-in, që përdoret për hyrje-daljet nga kufijtë tanë. Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë thekson:

Ky aktivitet keqdashës vjen pas sulmit kibernetik të 15 korrikut, të kryer nga qeveria e Iranit. Qeveria amerikane mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të rikthyer sistemin.

Për sulmin kibernetik, kryeministri Rama shkroi dje se “Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj si kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin, fakti është se agresioni nuk ia arriti asfare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash!”.

Më tej, Rama shtoi:

Dhe përtej cinizmit e përqeshjeve tipike të klubit të madh të thashethemeve digjitale, ushqyer nga ulëritës profesionistë e kinse strategë marrëdhëniesh ndërkombëtare, Shqipëria teknikisht rezistoi më së miri, ndërsa politikisht ka bërë një investim tejet të dobishëm!”.