Aktualitet

Sulmi kibernetik i 9 shtatorit, kryeministri Rama: Asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash!

Pas sulmit kibernetik iranian të 9 shtatorit, kryeministri Rama njofton se sistemet e pikave kufitare janë në punë prej mëngjesit. Në një postim në Twitter, shefi i qeverisë shkruan:

Sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh prej mëngjesit të sotëm. Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj si kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin, fakti është se agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash!

Dhe përtej cinizmit e përqeshjeve tipike të klubit të madh të thashethemeve digjitale, ushqyer nga ulëritës profesionistë e kinse strategë marrëdhëniesh ndërkombëtare, Shqipëria teknikisht ka rezistuar më së miri, ndërsa politikisht ka bërë një investim tejet të dobishëm!

 

Një ditë më parë, në një postim në Twitter, kryeministri Rama njoftoi se hakerat iranianë kanë sulmuar sistemin TIMS. Rama theksoi se “me aleatët po punohet pa orar, për t’i bërë të papenetrueshme, sistemet tona digjitale”.

Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale.

Ndërkohë, më herët gjatë ditës së sotme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënuan sulmin kibernetik iranian të 9 shtatorit mbi sistemet e ruajtjes e transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit, përfshi TIMS-in, që përdoret për hyrje-daljet nga kufijtë tanë. Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë theksoi: “Ky aktivitet keqdashës vjen pas sulmit kibernetik të 15 korrikut, të kryer nga qeveria e Iranit. Qeveria amerikane mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të rikthyer sistemin”.