Celebrities Live From Tirana Music Showbiz

David Dreshaj në një rrëfim për TAR, nga albumi i Krishtlindjes e deri tek besimi në Zot!

David Dreshaj ka qenë i ftuar në studion e “Live From Tirana”, për të folur më shumë mbi albumin e tij të Krishtlindjes që ka publikuar së fundmi, si dhuratë për fansat e tij për festat e fundvitit. Por ndër të tjera, duke qenë se intervistat e tij janë pak të rralla, Davidi është ndalur edhe tek projektet që ka lançuar kryesisht gjatë vitit që lamë pas. Ndërkohë sa i përket albumit të tij, Davidi na tregon…

Si të lindi ideja për të patur një album Krishtlindjesh?

Që në fëmijëri kam pasur një ide për të patur një album personal, e më pas një album Krishtlindjesh. Jam rritur me këngë festive dhe mendova që është momenti i duhur. Është bërë me shumë shpirt dhe zemër. I është dedikuar Zotit si album, unë i besoj shumë Zotit.

Pse doje të sillje këngë Krishtlindjesh?

Siç thashë unë jam shumë i lidhur shpirtërsisht me Zotin, me fenë time. Mendova që ky është momenti i duhur të tregoj dhe shtrirjen time vokale dhe një anë tjetër të Davidit, një anë më serioze.

Si e kanë pritur këtë album familjarët e tu?

Fillimisht babai nuk ishte dakord të sillja një album të tillë. Ai e sheh ndryshe tregun muzikor. Nuk do që të sjellë kengë të tilla artistike, i pëlqejnë më shumë këngët komerciale. Pastaj mami, motra patjetër e kanë pëlqyer shumë.

Ke në plan të krijosh koncerte të tjera humanitare?

Besoj se po. Do të ketë koncerte këtë fundvit edhe nëpër famulli dhe kisha. Do të ketë një pianist që do më shoqërojë dhe do jem live. Nuk e di nëse do të dokumentohen, por nëse është një famulli apo kishë e rëndësishme, do të kem një foto veç si kujtim.

Kënga “Si këmbanë” nga albumi i Krishtlindjes së David Dreshaj pozicionohet këtë javë në vend të 5-të të klasifikimit të “The Top List”. Nëse edhe juve ju pëlqen kjo këngë, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e Top Awards.