Sport

Dialogu i Morgan Freeman në ceremoninë hapëse të Botërorit, kritikohet ashpër në rrjetet sociale!

Aktori i madh i Hollivudit, Morgan Freeman, ishte protagonist i ceremonisë hapëse të Kupës së Botës, “Katar 2022”, ku zhvilloi një dialog me sipërmarrësin vendas, Ghanim al Muftah. Aktori, tashmë 85-vjeçar, e nisi pjesën e tij në këtë event, duke rrëfyer vetëm me zë një segment të titulluar “Thirrja”, por pas disa batutash u shfaq edhe vetë në skenën e ngritur në mes të fushës së stadiumit “Al Bayut”.

“Jemi mbledhur të gjithë këtu, si një tribu e vetme e madhe”, tha Freeman.

Freeman u prit në skenë nga 20-vjeçari Muftah, i cili ka lindur me një sëmundje të rrallë, si pasojë e të cilës nuk ka gjymtyrët e poshtme.

“Afrohu”, i tha Muftah.

Freeman iu përgjigj: “Nuk jam i sigurt, a jam i mirëpritur?”.

Muftah i tha: “Prandaj bëmë thirrjen, sepse të gjithë janë të mirëpritur.  Ishte një ftesë për të gjithë botën”.

Freeman vazhdoi: “Më kujtohet se, edhe pasi morëm thirrjen, në vend që të gjenim një mënyrë tjetër, e hodhëm poshtë dhe donim të bënim sipas kokës sonë. Dhe tani bota ndihet më e largët dhe e përçarë. Si mundet kaq shumë vende, gjuhë dhe kultura të bashkohen, nëse pranohet vetëm një mënyrë?!”

Në rrjetet sociale, tifozët e futbollit kanë reaguar negativisht kundër aktorit, që shfaqej katër vjet pas akuzave për sjellje të padenjë dhe ngacmim seksual nga plot 16 persona.

Ndërkohë, mediet britanike raportojnë se televizionet atje vendosën të mos e transmetonin ceremoninë, duke shfaqur në vend të saj një reportazh për abuzimet me të drejtat e njeriut që ndodhin në Katar.

Katari është kritikuar shpesh për trajtimin e punëtorëve të huaj, pjesëtarëve të komunitetit LGBTQI+ dhe kufizimet sociale që janë në fuqi në vend.