Celebrities Film & Tv

Drejtori i ‘Disney’ sqaron gjithçka në lidhje me padinë e Scarlett Johansson!

Drejtori ekzekutiv i ‘Disney’ Bob Chapek së fundmi ka folur në lidhje me çështjen e kompensimit të talenteve me të cilat kompania përballet gjatë gjithë kohës. Ai ka folur në konferencën e ‘Goldman Sachs Communacopia’ dy muaj pasi Scarlett Johansson ngriti një padi kundër kompanisë.

Scarlett Johansson nuk ishte fare dakord me vendimin e fundit të gjigantit amerikan ‘The Walt Disney Company’ për “Black Widow” ku ajo interpretoi protagonisten Natasha Romanoff. Aktorja e njohur hollivudiane denoncoi si shkelje të kontratës faktin që filmi do të shfaqej si në salla kinemaje ashtu edhe në platformën streaming ‘Disney+’. Duket se qëllimi i kompanisë ishte që të rriste çmimet e aksioneve por edhe Johansson ishte gati për betejën ligjore me ‘House of Mouse’ prandaj edhe avokatët e saj iu drejtuan një gjykate në Los Anxhelos.

Gjatë konferencës ai u pyet në lidhje edhe me këtë problem dhe u shpreh se:

Sigurisht që bota po ndryshon dhe marrëveshjet me talentet në të ardhmen do të duhet që të pasqyrojnë faktin se bota po ndryshon.

Chapek, i cili nuk e përmendi aktoren në mënyrë specifike, tha se kompania ka një histori të gjatë të marrëveshjeve shumë simbiotike dhe bashkëpunuese me talentet dhe se kjo gjë do të vazhdojë. Ai vuri në dukje gjithashtu se si disa kontrata aktuale që u bënë tre ose katër vjet më parë u ndërprenë para pandemisë koronavirus dhe që sollën një ndryshim shumë të madh në gjithçka, sidomos atë të sjelljes së konsumatorit.

Bob u shpreh se marrëveshjet e ardhshme me talentet do të ndërtohen dhe do të bazohen në modele të përditësuara. Për ta përbyllur ai shtoi gjtihashtu se:

Në fund të fundit ne besojmë se talenti ynë është pasuria jonë më e rëndësishme, dhe ne do të vazhdojmë të besojmë dhe do t’i kompensojmë ato në mënyrë të drejtë sipas kushteve të kontratës me të cilat ata bien dakord me ne padyshim.