Së fundmi, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka dhënë një intervistë të re për revistën e famshme amerikane, Rolling Stone. Këngëtarja ka folur mbi karrierën, jetën e saj por jo vetëm. Por përveç këtyre, revista ka shkruar edhe për prejardhjen e artistes shqiptare, duke treguar historinë e zhvendosjes së familjes nga Maqedonia e Veriut në SHBA. Revista shprehet:
Ajo thotë se mentaliteti i saj “gjithmonë nxitues” vjen nga rritja në një familje emigrantësh. Të dy prindërit e saj janë shqiptarë, me babanë e saj që emigroi në ShBA nga Maqedonia e Veriut në moshën 21-vjeçare në fund të viteve 80-të, para Luftërave Jugosllave. Nëna e saj ka lindur në SHBA, por edhe gjyshërit e Rexha-s nga nëna kanë emigruar nga Evropa në kërkim të një jete më të mirë.
Kur u pyet për familjen e saj, Bebe tha:
Ata janë më paranojakë, më të stresuar. Ndjehem sikur i kam marrë disa nga ato cilësi nga familja ime, por duhet të mësosh se si të tërhiqesh nga kjo. Askush nuk flet kurrë për traumën e brezave.
Rexha e kanalizoi kulturën e saj në një mënyrë tjetër në një nga këngët e albumit “Bebe”, e cila titullohet “I Am”, të cilën e kompozoi pasi Gjykata e Lartë mori vendim për ndalimin e abortit në Amerikë. Ky vendim e bëri atë të mendojë për rrënjët e saj dhe mizogjeninë e rrënjosur që ajo sheh në kulturën shqiptare.
Mos më keqkuptoni, unë e dua kulturën dhe prejardhjen time dhe e urrej ta them këtë, por ndonjëherë më duket sikur gratë trajtohen si qytetare të dorës së dytë në vendin tim. Burrat hanë të parët. Burrat flasin. Gjithçka ka të bëjë me burrat dhe më pas hyjnë gratë.
Rikujtojmë, se albumi i plotë i artistes do të publikohet më 28 prill dhe përfshin edhe dy bashkëpunime të tjera shumë të suksesshme, “I’m Good (Blue)” me David Guettan dhe “Seasons” me Dolly Parton. Ky album i pason dy albumeve shumë të suksesshme të artistes shqiptare, “Better Mistakes” në vitin 2021 dhe “Expectations” në vitin 2018.