Aktualitet Celebrities Live From Tirana Politikë

Ekskluzive/Sokol Balla rrëfehet në TAR për rikthimin në ‘Top Story’ dhe jo vetëm!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar gazetari i njohur Sokol Balla për të na folur më shumë rreth rikthimit të tij në ‘Top Story’. Për më shumë Balla thotë:

Ne e kemi nisur që në 2006, e vazhduam me format politik deri në 2017, për gati 11 sezone plus vazhdoi në 3 sezone të tjera në një format tjetër. Tani jemi tek sezoni i 15-të dhe unë jam shumë i lumtur që e kemi rikthyer sërish falë dashurisë së disa personave të tjerë, të kompanisë tonë, megjithëse nuk jam nga ata persona që besoj tek rikthimi, në sensin që nëse një gjë ka marr fund t’i jap një shans tjetër. Besoj që ishte një shkëputje dhe është një rivazhdim më shumë sesa një rikthim, ose të paktën kështu dua ta mendoj unë.

Sa e vështirë është të ndërtosh një program kualitativ që flet rreth politikës sidomos në një vend si Shqipëria?

Shqipëria mbetet një vend jo i lehtë edhe për të jetuar, e dimë që kur zgjohemi kemi idenë që sot do të nisë një betejë tjetër, është një sfidë e përditshme dhe çdo proces jetësor dhe profesional mbetet i vështirë. Është i vështirë sepse komercializmi dhe sipërfaqësia janë elemente shumë të fortë, pra kapemi tek forma dhe jo tek përmbajtja. Unë jam konservator në këtë pikë, jam më shumë i fokusuar tek përmbajtja dhe e shikoj formën në funksion të përmbajtjes dhe jo anasjelltas. Jo se është gabim sidomos në televizion, forma është ndonjëherë më e rëndësishme se përmbajtja, sepse ka programe që janë të suksesshme për shkak të formës. Politikanët shqiptar janë gjela dhe është shumë kollaj t’ju afrosh një arenë për t’u përplasur sqepat dhe thonjtë sesa një arenë ku të përplasin idetë. Mua nuk më ka pëlqyer të kem një audiencë sasiore por cilësore. Media është gjithmonë në kërkim të audiencës dhe audienca është sasia. Unë jam në funksion të kontentit dhe nuk mund të them se rruga ime nuk ka patur sukses sepse ndryshe nuk do të isha këtu ku jam sot. Cilësia është ajo që të mban në treg, sasia të sjell sukses momental.

Raporti i Sokol Ballës me Radion?

Ka nisur në shtator të 1982 në Radio Tirana deri në 1990. Pastaj unë vazhdova gazetarinë në televizion, kam punuar 4 vite në Londër dhe pastaj kam patur episode episodike me “Top Albania Radio”-n, kam patur nje emision për 4 vite rresht që do e bëja prap me kënaqësi në formën e ndonjë podcasti në një moment që gjërat të jenë relaksuar edhe për mua. Radio është një dashuri më vete, sepse flas me një person jo me 1 milion veta.