Bota

Erdogan: Besoj se Putin po kërkon fundin e luftës në Ukrainë!

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, beson se lideri rus, Vladimir Putin po kërkon t’i japë fund luftës që ka nisur në Ukrainë dhe se “një hap i rëndësishëm” do të bëhet.

Nga bisedat me Putinin më është krijuar përshtypja se ai dëshiron ta përfundojë këtë gjë, sa më shpejt të jetë e mundur.

Këtë muaj, Ukraina ka rikthyer një pjesë të mirë të territorit, sidomos në rajonin Kharkiv. Lideri turk dha shenja se gjërat janë “mjaft problematike” për Rusinë. Erdogan bëri të ditur se me homologun rus Putin, pati “diskutime shumë të gjera” në një samit të mbajtur në Uzbekistan javën e kaluar. Në një intervistë për PBS-në, deklaroi:

Në fakt, ai është duke më treguar se ka gatishmëri për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo ka qenë përshtypja ime, sepse mënyra si po ecin gjërat është mjaft problematike. 200 pengje do të këmbehen së shpejti mes dy palëve.

Por, nuk preferoi të jepte të tjera detaje lidhur me këtë gjë. Turqia është vend anëtar i NATO-s, ndonëse ende mban lidhje të ngushta me Moskën dhe Kievin. Ankaraja ka ndërmjetësuar një marrëveshje për të mundësuar daljen e grurit nga Ukraina drejt pjesës tjetër të botës.

Në kundërofensivën e nisur, ushtria ukrainase pretendon se ka fituar kontrollin e mbi 8 mijë kilometrave katrorë në rajonin e Kharkivit, ndërsa trupat ruse thonë se forcat e saj janë tërhequr për t’u rigrupuar.

Megjithatë, ekspertët mendojnë se Rusia ka përdorur të njëjtin arsyetim edhe kur dështoi të fitonte kontrollin e Kievit, disa javë pas nisjes së luftës e për pasojë u tërhoq nga ai rajon. Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ai e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi iu përgjigj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.