Bota

Inteligjenca britanike: Rusët nën presionin e sulmeve ukrainase, zhvendosin nëndetëset!

Inteligjenca britanike e Mbrojtjes beson se për shkak të kërcënimit nga sulmet ukrainase, flota ruse në Detin e Zi lëvizi nëndetëset nga Porti i Gadishullit të Krimesë, drejt jugut të Rusisë. Në përditësimin më të fundit që i bën situatës në Ukrainë, thekson se “ thuajse me siguri, komanda e flotës në Detin e Zi, zhvendosi nëndetëset e tipit KILO, drejt Novorosiskut në Krasnodar Krai.

Londra përmend sulmet e dy muajve të fundit në bazat e flotës ruse dhe të aviacionit detar. Në fillim të muajit, ushtria ukrainase nisi një kundërofensivë e pretendon se ka rifituar kontrollin e mbi 8 mijë kilometrave katrorë në rajonin e Kharkivit. Ushtria ruse thotë se trupat e saj u tërhoqën nga Kharkivi për t’u rigrupuar.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dënoi një sulm me raketa ruse pranë një centrali bërthamor në jug të Ukrainës dhe akuzoi Moskën se po rrezikon të gjithë botën me veprimet e saj.

“Raketa përfundoi vetëm 300 metra larg termocentralit jugor të Ukrainës në rajonin ukrainas Mykolaiv”, shkruan Zelensky në Telegram, duke shtuar se “të tilla sulme duhet të ndalojnë para se të jetë tepër vonë”.

Agjencia bërthamore ukrainase Enerhoatom raportoi një tjetër sulm me raketa në një zonë industriale pranë uzinës, e cila dëmtoi tre linja të tensionit të lartë dhe një hidrocentral aty pranë.

Bombardimi i termocentralit bërthamor të Zaporizhzhya-s, më i madhi në Europë dhe i pushtuar nga Rusia në muajt e fundit ka ngritur tashmë shqetësimin ndërkombëtar për një katastrofë të mundshme bërthamore në Ukrainë. Por, ndryshe nga Zaporizhzhya, centrali bërthamor i Ukrainës jugore është nën kontrollin e plotë të Kievit.

Në Nju Jork ku sot nis punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, lufta në Ukrainë do të marrë vëmendje të posaçme. Liderët rikthehen fizikisht, çka nuk ishte e mundur në dy vite pandemi, për shkak të masave që impononin distancimin social. Por, Zelensky nuk do të jetë i pranishëm në sallë.