Bota

Europa në “darën” e kaosit të fluturimeve!

Anulime fluturimesh, vonesa të gjata e stresuese, lumë kërkesash për rimbursim biletash, pasagjerë të zemëruar dhe bagazhe të humbura. Një verë e zezë për udhëtimet ajrore të pushimeve që priteshin me padurim, pas dy vitesh kufizime të forta nga pandemia COVID-19. Në Europë, nga Spanja në Portugali, nga Britania e Madhe në Gjermani, duke kaluar pjesërisht në Itali, situata në aeroporte është “e nxehtë”, ashtu si dhe moti.

Në Londër, aeroporti Heathrow është në prag të kolapsit, nxitur edhe nga mungesa e personelit, pas shkurtimeve të lidhura me pandeminë. Rezultati: nga mesi i korrikut, pothuajse 16 mijë fluturime të anuluara edhe për gushtin, rreth 2% e totalit. Kujtojmë se pak ditë më parë, Heathrow iu kërkoi linjave ajrore të ndalojnë shitjen e biletave për verën, duke shkaktuar reagimin e kompanive globale si “Emirates” dhe “Delta”. Deri më 11 shtator, britanikët vendosën kufirin maksimal ditor prej 100 mijë pasagjerësh, kundrejt një trafiku që verën para pandemisë kalonte mbi 22 milion, çka e bërë aeroportin e Londrës të mbante vendin e parë për numrin e udhëtarëve.

Heathrow nuk është i vetëm në këtë vendim të paprecedentë, që vjen pas atij të muajit prill nga aeroporti i Amsterdamit “Schipol”. Kompania që e administron iu kërkoi kompanive ajrore të anulonin fluturimet e të mos pranonin prenotime të reja. Shkaku? Problemet me personelin. Ditët e fundit, vetëm kompania ajrore gjermane “Lufthansa”, njoftoi anulimin e 2 mijë fluturimeve të tjera deri në fund të gushtit në aeroportet e Frankfurtit e Mynihut në Gjermani.

Në Itali, nesër pritet një grevë e linjave ajrore low cost “Ryanair”, “Easyjet” dhe “Volotea”. Fillimisht u planifikua për të gjithë ditën, më pas u reduktua në katër orë: 14:00-18:00. Kjo fundjavë duket në rrezik të lartë për ata që planifikojnë të fluturojnë. Ndërkohë, në Google Trends më së shumti fjalët e kërkuara janë “vonesat e anulimet e fluturimeve”, si dhe “kompensimi për fluturimet e vonuara”. Sipas IATA-s, “globalisht, trafiku i brendshëm duhet të kthehet në nivelet e para krizës në vitet 2023-2025 për rrugët me distanca të gjata, por të panjohurat në lidhje me shkurtimet e stafit, vazhdojnë”.