Bota

Aeroporti i Heathrow-t me limit pasagjerësh për dy muaj/Aeroportet në Europë në kaos!

Makth nga udhëtimet, aeroporti i Heathrow-t merr masa duke vendosur kufizime këtë sezon veror. Deri më 11 shtator nuk lejohen më shumë se 100 mijë persona në ditë për kalimet tranzit. Objektiv është reduktimi i radhëve, si dhe i vonesave në mbërritjen e bagazheve e anulimit të fluturimeve.

Aeroporti më i ngarkuar i Mbretërisë së Bashkuar, që është dhe kryesori në Londër e ndër më të rëndësishmit në nivel global, iu kërkoi kompanive ajrore të mos shesin më bileta në sezonin veror. Administratori i deleguar, John Holland-Kaye:

Disa prej kompanive ndërmorën veprime domethënëse, të tjera, jo. Mendojmë se duhen masa të mëtejshme për t’iu garantuar pasagjerëve një udhëtim të sigurt e të besueshëm. Për këtë sezon veror, kompanitë po shesin 4 mijë bileta më shumë nga sa janë kapacitetet e aeroportit.

Kaoset në aeroporte janë të zakonshme, për shkak të pasojave të pandemisë. Kriza e thellë e shkaktuar nga COVID-i ka çuar në shkurtime të mijëra vendeve të punës në sektorin e transportit ajror në Europë. Për momentin, Heathrow që është përballur me greva dhe të tjerë aeroporte në vendet europiane, nuk kanë personel të mjaftueshëm për t’i bërë ballë fluksit të pasagjerëve e që deri në vitin 2019, pra para pandemisë ishte rreth 200 mijë në ditë.

Administratori Holland-Kaye shtoi:

Duke qenë se në javët e fundit, numri i njerëzve që udhëtojnë ka kaluar 100 mijë në ditë, vumë re që shërbimi ynë po zbriste në një nivel të papranueshëm: radhë të gjata, vonesa, bagazhe që nuk udhëtonin me pasagjerët, mungesë korrektese, si dhe anulime të minutës së fundit. Kjo kërkon masa!

Ekspertët e sektorit nuk prisnin një rimëkëmbje të tillë të trafikut ajror dhe një rritje e ngjashme që zakonisht kërkon 40 vjet, kësaj here u përqendrua në vetëm 4 muaj.

Britaniket British Airways dhe Easy Jet, holandezja KLM e gjermanja Lufthansa po anulojnë me mijëra fluturime. Gatwick, i dyti aeroport i Londrës për nga madhësia, ka vendosur kufizime e për korrikun nuk lejon më shumë se 825 fluturime në ditë, ndërsa për gushtin, jo më tepër se 850. Para pandemisë ishin 950.

Në të njëjtën linjë po vepron edhe aeroporti i Schipol-it në Amsterdam të Holandës duke e fiksuar numrin maksimal të pasagjerëve në rreth 16% më pak se nivelet e 2019-ës. Ndërkohë, vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, në qershor u trefishuan anulimet e fluturimeve të minutës së fundit, krahasuar me të njëjtin muaj të 2019-ës.

Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror që përfaqëson kompanite ajrore të të gjithë botës, kritikoi masat e vendosura nga Heathrow. Drejtori i Përgjithshëm, Willie Walsh, ish-numri një i British Airways iu kërkon aeroporteve europiane, të bëjnë më të mirën e të kompensojnë pasagjerët që preken nga kaosi e që do të vazhdojë gjatë, derisa aeroportet të sigurojnë personelin e mjaftueshëm.