Bota

Vrasja tragjike e ish-ministres britanike, policia zbulon detajet: Ann Widdecombe dyshohet se u sulmua 24 orë para se të gjendej e vdekur

Policia e Devonit dhe Kornuollit beson se ish-ministrja britanike Ann Widdecombe është sulmuar rreth 24 orë para se të gjendej e vdekur në banesën e saj të enjten, ndërsa hetimet për zbardhjen e ngjarjes po vazhdojnë me intensitet.

Autoritetet kanë bërë të ditur se po kërkojnë një person të dyshuar, i cili besohet të jetë një mashkull i bardhë. Sipas policisë, hetimi po zhvillohet me “ritëm” dhe ekipet hetimore vijojnë mbledhjen e provave.

Ndërkohë, 26-vjeçari i arrestuar fillimisht nën dyshimin për vrasjen e Widdecombe është liruar dhe nuk konsiderohet më pjesë e hetimit.

Sipas BBC-së, ish-deputetja 78-vjeçare ishte planifikuar të merrte pjesë në emisionin e Matt Allwright në Channel 5 të mërkurën. Megjithatë, përpara intervistës, stafi i emisionit nuk arriti të vendoste kontakt me të.

Në fshatin Haytor, ku ndodhet banesa e saj, vijon të ketë një prani të shtuar të forcave të policisë. Zona mbetet e rrethuar, ndërsa specialistët e mjekësisë ligjore po vazhdojnë mbledhjen dhe analizimin e provave në vendngjarje.

Ann Widdecombe, 78 vjeç, u gjet e vdekur në shtëpinë e saj të enjten me lëndime të rënda. Policia po vijon hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të identifikuar autorin e dyshuar.