Aktualitet

Festat e fundvitit, në 24 orët e fundit mbi 5 mijë emigrantë janë kthyer në atdhe nga pika e Kapshticës!

Festat e fundvitit kanë rritur ndjeshëm numrin e shtetasve shqiptarë që rikthehen në vendlindjen e tyre për të kaluar ditët festive. Sipas informacioneve nga policia kufitare mësohet se gjatë 24-orëve të fundit në pikën e kalimit kufitar te Kapshticës kanë hyrë 5772 shtetas ndërsa numër më i vogël është regjistruar në dalje të saj, konkretisht 2462 shtetas.

Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës të shumtë janë qytetarët që po presin në radhë kilometrike. Sipas qytetarëve kanë më shumë se 2 orë që presin në radhë mes temperaturave të ulëta.

“Kemi dy orë që presim në radhë. Ca kalojnë pa radhë, neve rrimë në radhë këtu. Me rrinë atje zotërinjtë bredhin kafeneve. Turp t’iu vijë. Mjerë kush lenë fëmijët në Shqipëri, një prind duhet të thotë ia arrita qëllimit vetëm kur ka larguar fëmijët nga Shqipëria. Po shkoj për në Selanik, kam fëmijë të sëmurë në makinë dhe më rrinë më pinë kafe.

2 orë, nuk ndryshojmë ne, shumë vështirë me ndryshu. Organizim nuk ka, këtu si me qenë njerëz që janë për herë të parë, sikur janë duke bërë prova, jo se janë doganierë të rregullt. Për shumë vjet festat.

Kemi nja dy orë që po presim. Edhe nja dy-tre orë të tjera derisa të kalojmë matanë.

1 orë e 30 minuta në radhë. Turp”, thonë emigrantët.

Në të dyja krahët fluksi është shumë i madh por sipas informacioneve nga policia për të përballuar këtë fluks në rritje të qytetarëve që hyjnë ne vendin tonë pala shqiptare rrit numrin e sporteleve në varësi të situatës. Ajo që bëhet e ditur po nga policia kufitarë është se fluksi më i lartë regjistrohet gjatë paradites.