Bota

Festë me 700 të ftuar për ditëlindjen e Barack Obamas, shpërthejnë polemikat!

Barack Obama feston nesër 60-vjetorin e lindjes por në Amerikë ka polemika për shkak se në këtë kohë pandemie ku ndalohen grumbullimet masive, ish-presidenti planifikon një festë me 700 të ftuar.

Shifrën e atyre që kanë marrë ftesa e bëjnë të ditur të përditëshmet Axios e The Hill. Eventi do të zhvillohet në rezidencën verore të Obamave, në ishullin Martha’s Vineyard në Masaçusets.

Por për të qetësuar ujërat, stafi i Barack Obamas doli me disa sqarime. Të ftuarit, mes tyre Oprah Winfrey e George Clooney janë të gjithë të vaksinuar e festa do të zhvillohet në mjedis të hapur.

Shtëpia e Bardhë specifikoi se presidenti Joe Biden nuk do të jetë i pranishëm. Kujtojmë se në dy mandatet e Obamas president, Biden ka mbajtur postin e zv.presidentit.

Në fakt, nuk është hera e parë që Barack organizon festime të mëdha për ditëlindje, sidomos në ato jubilare si 50 apo 55-vjetori.

Të tilla pati në mjediset e Shtëpisë së Bardhë me të ftuar si Jay-Z, Stevie Wonder, Tom Hanks, Chris Rock, Ellen DeGeneres e Paul McCartney.