Sport

Fillon raundi i dytë i Euro2020; Itali-Zvicër supersfida e së mërkurës!

Start fantastik i Italisë në këtë evropian, që në ndeshjen e tyre hapëse, ja dolën të triumfonin në shifrat 3-0 kundër Turqisë, duke rikonfirmuar rilindjen e të kaltërve nën drejtimin e Roberto Mancinit. Tashmë të kaltërit për të hedhur një tjetër hap të sigurt drejt kualfikimit për në raundin tjetër do t’u duhet të kalojnë pengesën me emrin Zvicër.

Këta të fundit, nuk arritën dot të merrnin më shumë sesa një barazim në shifrat 1-1 ndaj Uellsit, në një ndeshje ku përaqësuesja helvete humbi shumë raste. Një barazim që ja ndërlikon jo pak situatën në këtë evropian zviceranëve.

Për italianët suksesi ndaj kombëtares ballkanase ishte ndeshja e 30-të që ata nuk mposhten, një tjetër rezultat pozitiv, që duket se konfirmon rikthimin e të kaltërve në ditët e tyre më të mira. Zvicra dhe Italia herën e fundit përballeshin mes tyre në kampionatin europian të 1999-ës dhe asokohe sfida përfundonte me rrjeta të paprekura.

90 minuta që do të përcaktojnë shumë rreth fatit të këtyre dy skuadrave, me italianët që synojnë të blindojnë vendin e parë në grup, e në krahun tjetër helvetët me dëshirën për të mbajtur gjallë shpresat që ëndrra e tyre evropiane të mos ndërpritet më shpejt sesa parashikimet.

Turqi-Uells është një tjetër duel interesant.

Ballkanasit që kërkojnë suksesin pas disfartës në ndeshjen hapëse të europianit dhe Uellsi pas barazimit ndaj Zvicrës synon të gjejë 3 pikët e para në grup. Një tjetër përballje ku edhe gabimi më i vogël mund të rezultojë fatal për të dy ekipet.

Sfida tjetër është ajo mes Finlandës dhe Rusisë.

Kombëtarja nordike debutoi për herë të parë në kampionatin europian duke arritur një fitore me shumë peshë ndaj Danimarkës, në një duel që përcolli dhe momente paniku me gjendjen e Christian Eriksen. Sidoqoftë, këtë herë ndaj Rusisë ata do të tentojnë një tjetër rezultat surprizues.