Sport

Fitoi Kupën e Botës, Argjentina në ekstazë: nata e çmendur e tifozëve argjentinas!

Natë feste në të gjithë Argjentinën për fitoren e Kupës së Botës në Futboll, nga skuadra e drejtuar nga Leo Messi. Miliona argjentinas qanë, bërtitën dhe përqafuan njëri-tjetrin teksa ndiqnin ndeshjen mes skuadrës së zemrës e Francës, përballje plot me emocione.

Gjatë takimit, tifozë të mbledhur në një shesh publik në Buenos Aires brohoritën në kor emrin e kapitenit Messi. Për Argjentinën ky ishte titulli i tretë kampion bote pas atyre të viteve 1978 e 1986, por humbi finalet e 1930-ës, 1990-ës e 2014-ës. Shumë tifozë argjentinas nxituan të kujtojnë të madhin Diego Armando Maradona, i ndarë nga jeta dy vjet më parë. Për ta nuk ka dyshime, “nga atje lart, e çoi skuadrën drejt fitores”.

Në Rosario, vendlindja e Messit, njerëzit “u derdhën” në rrugë për të nderuar heroin e tyre, i zgjedhur si Lojtari i Vitit në Kupën e Botës, për të dytën herë pas vitit 2014. Messi ngriti trofeun në qiell duke e çuar Argjentinën në ekstazë, ndërsa festimet zgjatën deri në orët e para të mëngjesit.

Kombëtarja e drejtuar nga Messi arriti të bashkojë argjentinasit në një ndjenjë gëzimi jo të zakonshme, në vendin që prej vitesh është mbërthyer nga kriza ekonomike e po vuan një nga normat më të larta të inflacionit në botë, me 4 në 10 persona që jetojnë në varfëri, referuar statistikave.

Tifozët e vlerësuan skuadrën e drejtuar nga Lionel Scaloni. Edhe presidenti argjentinas, Alberto Fernandez iu bashkua festimeve e falënderoi kombëtaren për fitoren. Në një postim në rrjetet sociale shkruan:

Faleminderit lojtarëve dhe ekipit teknik! Ata janë një shembull nga i cili, kurrë nuk duhet të heqim dorë! Kemi njerëz të mrekullueshëm e një të ardhme të shkëlqyer!

Padyshim që epiqendër e festimeve ishte kryeqyteti Buenos Aires, qendra e të cilit u mbipopullua nga mijëra njerëz që në kor brohorisnin:

Me Messin për dore, ne do të shkojmë deri në fund!