Sport

Fitorja e shtatë radhazi, Reali një pikë larg titullit të 36-të!

Vjen edhe fitorja e shtatë radhazi në La Liga për Realin e Madridit. Skuadra e Carlo Ancelottit mposhti 3-0 Cadizin, dhe tashmë nevojitet vetëm një pikë për të fituar titullin kampion, që do të jetë i 36-ti në histori.

Zyrtarizimi mund të vijë edhe nëse Barcelona nuk arrin të triumfojë në derbin katalanas përballë Gironës. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërkohë që vendasit nuk u përmbajtën në fraksionin e dytë të takimit.

Gjatë së cilit realizuan tri herë me anë të Brahim Diaz, Jude Bellingham dhe Joselut. 18 gola në kampionat në sezonin e parë në Spanjë për Bellingham, i cili numëron vetëm një gol më pak se ukrainasi Dovbyk i Gironës.

Nga ana tjetër, Andry Lunin është një nga temat e nxehta në Real Madrid.

Ukrainasi ka pak më shumë se një vit nga kontrata e tij, e cila skadon në qershor 2025, por paraqitjet e tij të fundit kanë bindur drejtuesit e “Los Blancos” të fillojnë negociatat për zgjatjen e bashkëpunimit.

Pasi mposhti konkurrencën me Kepa-n, portieri performoi mirë edhe në ndeshjet e mëdha kundër Manchester City-t dhe Bayern Munich në Champions League, por me siguri do të rikthehet në stol kur Thibaut Courtois të jetë gati për Ancelotti-n.

Por, në Spanjë janë të sigurt se Lunin do të rinovojë kontratën deri në vitin 2028, pasi palët janë dakordsuar dhe e vetmja gjë që mungon është zyrtarizimi.