Bota

Funerali i Mbretëreshës Elizabetë/Përfundon shërbesa në kishën Westminster! (Live)

Në Westminster Abbey përfundoi shërbesa fetare për funeralin e Mbretëreshës, në prani të 2 mijë të ftuarve. Kjo është kisha historike ku kurorëzohen mbretërit dhe mbretëreshat e Anglisë. Për Elizabetën e Dytë ky moment u shënua në vitin 1953, 6 vjet pasi në të njëjtin vend u martua me Princin Filip kur ende ishte princeshë. Që nga shekulli i 18-të, aty nuk mbahet shërbesë fetare funerali për një monark, edhe pse në vitin 2002 pati një të tillë për Nënën Mbretëreshë.

Në drejtimin e kësaj shërbese ishin klerikët e lartë David Hoyle dhe Justin Welby, të cilët vunë në dukje se vetëm pak liderë kanë marrë kaq shumë dashuri. Sipas tyre, “Elizabeta e Dytë ia kushtoi jetën shërbimit ndaj kombit dhe Commonwealth-it”. Nuk mbeti jashtë vëmendjes as mesazhi i famshëm “We’ll Meet Again” (Do të takohemi sërish), fjalë që monarkja ua drejtoi qytetarëve në kulmin e mbylljes nga pandemia koronavirus. Më tej, vunë në dukje se me admirim kujtojnë përgjegjshmërinë që e karakterizonte.

Gjatë liturgjisë, Mbreti Charles III, në krah të bashkëshortes Camilla u shfaq dukshëm i emocionuar, me sy të kuq ndërsa fokusohej nga kamerat gjatë transmetimit direkt të funeralit të nënës së ndjerë, e cila mbretëroi për 70 vjet, deri kur mbylli sytë më 8 shtator, në moshën 96-vjeçare. Dukshëm të emocionuar edhe pjesëtarët e tjerë të Familjes Mbretërore.

Arkëmorti i Mbretëreshës Elizabeta e Dytë u nxor nga Westminster Abbey për procesionin drejt Wellington Arch në Hyde Park Corner të Londrës. Publiku mund ta ndjekë nga afër procesionin në zonat e përcaktuara.

Me mbërritjen në Wellington Arch,  arkivoli vendoset në automjetin Jaguar Land Rover që përdoret në funeralet e anëtarëve të Familjes Mbretërore Britanike. Me këtë makinë nis udhëtimi për në ndalesën e fundit, Kështjellën Windsor. Kjo kështjellë e banuar nga 40 monarkë në rreth 1 mijë vite ka patur domethënie të veçantë për Mbretëreshën. Kur ishte adoleshente në vitet e Luftës së Dytë Botërore, u dërgua atje pasi Londra rrezikohej nga bombardimet. Gjithashtu e zgjodhi si vendqëndrim fiks në kohën e masave anti-COVID.