Bota

Funerali i Charlie Kirk-ut, Erika Kirk: E fal vrasësin!

Shtetet e Bashkuara u ndalën për funeralin e Charlie Kirk-ut. Rreth 200 mijë vetë u mblodhën në stadiumin State Farm në Phoenix të Arizonës, për t’i bërë nderimet e fundit aktivistit të krahut të djathtë, i cili më 10 shtator u qëllua për vdekje ndërsa fliste para studentëve në Universitetin e Utah Valley-t. Presidenti Donald Trump:

Amerika është në shok. Dy javë më parë, vendit iu vodh një gjigant i brezit të tij. U vra nga një përbindësh i radikalizuar, tha presidenti i SHBA-ve duke folur në skenë, ku u prit me duartrokitje nga njerëzit e çuar në këmbë e thërrisnin “SHBA! SHBA! SHBA!”.

E veja e Kirk-ut, Erika, foli e para.

Burri im, Charlie, donte të shpëtonte të rinjtë, si ai që i mori jetën. E fal atë të ri.

Ndërkaq, shefi i Shtëpisë së Bardhë e nderoi Kirk-un si “një hero amerikan dhe një martir për lirinë”.

Ai ndryshoi historinë.

Mbi 200 mijë qytetarë u rreshtuan dje që nga orët e mëngjesit, për të nderuar kujtimin e aktivistit në Arizonën që ishte shtëpia e tij. Presidenti foli për Charlie-n “e tij”, njeriun që gjithashtu arriti ta ribashkonte me Elon Musk-un.

Manjati u shfaq në tribunë duke biseduar miqësisht me ish-“shokun e parë”, pas një ndarjeje të dhunshme të shënuar nga sulme dhe kritika. Trump doli në skenë me një ton si të një tubimi, duke folur për më shumë se 40 minuta dhe kujtoi rolin kyç që aktivisti luajti në fitoren e tij në Shtëpinë e Bardhë. Po ashtu, përmendi guximin me të cilin Kirk foli në kampus, pastaj sulmoi “të majtën radikale” që siç u shpreh, “Charlie do ta kishte quajtur vetëm të majtë, por unë nuk mundem”.

Po ashtu, Trump njoftoi se do t’i japë influencerit të ndjerë, “Medaljen Civile të Nderit, nderin më të lartë të vendit.

Arma ishte drejtuar nga ai, por plumbi ishte drejtuar për nga të gjithë ne, vazhdoi Trump. Charlie u vra për shprehjen e të njëjtave bindje në të cilat praktikisht të gjithë në këtë arenë dhe shumica e njerëzve kudo tjetër në këtë vend, besonin thellësisht. Vrasësi dështoi në qëllimin e tij, sepse mesazhi i Charlie-t nuk u shua.